Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, sot me ceremoni të veçantë u betuan dhe u certifikuan 251 ushtarët të rinj të FSK-së.
Në fjalën e tij ministri Mehaj, ushtarëve të rinj u tha se ishin ëndrra më e madhe e popullit tonë, kurse sot jeni realiteti më frymëzues e më krenar që kemi.
“Ne jemi të qëndrueshëm e të pathyeshëm si Adem Demaçi dhe jemi trima si Adem Jashari. Dy Adema na udhëheqin neve, njëri në aspektin politik, tjetri në aspektin ushtarak. Të dy bashkë do të mbesin prijësit tanë të përjetshëm”, tha ndër të tjera Mehaj.
Në vazhdim të fjalimit të tij, Mehaj theksoi rruga drejt suksesit është e pamundur pa aleatët, pa SHBA-në dhe NATO-në, dhe se do të kultivohen raporte të shëndosha, të ndërtuara mbi bazën e sinqeritetit dhe besimit reciprok pasi besimi ndërton aleanca të pathyeshme.
“Për besimin, për besën jemi të njohur ndër shekuj si popull. Vizioni, misioni dhe amaneti ynë është anëtarësimi i Kosovës në NATO”, tha ai.
Fjalimin e përfundoi edhe me mesazhin e tij drejtuar familjarëve të shumtë të ushtarëve të rinj.
“Të dashur prindër, sidomos ju të dashura nëna, faleminderit që edukuat e rritet vajza dhe djem fisnik. Për sa kohë që kultivojmë gjenerata të tilla, vendi ynë do të frymojë lirshëm“, tha ai.
Ndërsa, zv.Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, kolonel Mehmet Lladrovci, duke iu drejtuar ushtarëve, familjarëve dhe të pranishmëve, theksoi se 251 ushtarët e rinj kanë kaluar me sukses të plotë stërvitjen ushtarake bazë.
Më pas, ai i uroi atyre suksese në sfidat e radhës në ushtri, ndërkaq familjarët e tyre i falënderoi për përkrahjen e dhënë.
Në ceremoni u prezantuan edhe emrat e ushtarëve dhe instruktorëve më të dalluar përgjatë nëntë javëve të kursit përkatës.