Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar një specialist në sektorin e Financës në Policinë Rrugore dhe një person tjetër E. B., 36 vjeç ndërkohë që është vënë nën hetim në gjendje të lirë, operatorja e kartotekës në të njëjtin sektor.
Dyshohet se 36-vjeçari siguronte shuma monetare nga persona të ndryshëm të cilët ishin gjobitur nga policia. Më dy punonjësit e policisë rrugore në bashkëpunim me njëri tjetrin falsifikonin të dhënat kompjuterike duke ndryshuar statusin e gjobave nga “E papaguar” në “E paguar”
AMP bën me dije se kjo skemë i ka shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëmm financiar. Aktualisht është duke vijuar puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë dhe nëse ka apo drejtues të implikuar.
Njoftimi i plotë
-.A. B., 36 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Financës në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifimi kompjuterik”;
-.E. B., 36 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjithashtu, Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë ka proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasen M.H., 56 vjeçe, me detyrë operatore në Kartotekën e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifimi kompjuterik”.
Veprimet u kryen mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, si edhe provave e fakteve të administruara nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për llogari të mjë procedimi penal të vitit 2022, nga të cilat rezultoi se punonjësi A.B., në bashkëpunim me shtetasen M.H., në mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke shfrytëzuar aksesin në sistemin e gjobave të automjeteve, kundrejt përfitimit në forma të ndryshme nga drejtuesit e mjeteve të ndëshkuara, të cilat siguroheshin nga shtetasi E.B. dhe persona të tjerë të paidentifikuar, ndryshonin/falsifikonin të dhënat kompjuterike mbi statusin e gjobave nga “E papaguar” në “E paguar”, duke cënuar interesat e ligjshme të shtetit dhe shkaktimin e një dëmi financiar të konsiderueshëm.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë si dhe drejtuesve të mjeteve që implikohen në veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.