Departamenti i Futbollit Amator në FSHF do të organizojë për të gjithë të apasionuarit pas futbollit një tjetër kampionat, që rikthehet pas një periudhe mungese për shkak të pandemisë.
Bëhet fjalë për nisjen e kampionatit 5×5 Futsall, futbolli që nuk luhet në fushën e gjelbërt, por në sallë dhe që do të jetë ashtu sikurse kompeticionet e tjera të futbollit amator, i organizuar me arbitra profesionistë, delegatë e mjekë.
Në këtë kampionat marrin pjesë 4 ekipe, që do të përfaqësojnë 4 qytete të vendit: Tirana (Tirana Futsall), Durrësi (Diamant Futsall), Elbasani (Elbasani Futsall) e Vlora (Flamurtari Futsall).
Gara do të zhvillohet për 6 javë me radhë, me ndeshjet që do të luhen me sistem vajtje-ardhje e do të vijojë më pas me fazën e play-off-it, për të përcaktuar edhe fituesin e parë të këtij kampionati, që do të ketë mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në UEFA Champions League Futsal.
Çdo skuadër do të ketë në dispozicion 22 lojtarë, teksa në fushë do të zbresin 5 lojtarë. Në këtë kampionat, të gjithë pjesëmarrësit do të jenë shqiptare dhe nuk do të marrin pjesë lojtarë të huaj.
Sakaq, në ambientet e stadiumit “Air Albania” u hodh edhe shorti, ku u përcaktua edhe kalendari i këtyre 8 javëve. Në javën e parë, Flamurtari do të përballet me Tiranën, ndërsa Elbasani do të luajë kundër Diamantit. Ndërkohë, ditët në vijim do të bëhet me dije edhe data se kur do të luhen ndeshjet.
Java e parë – 17.03.2022
FLAMURTARI FC – Tirana / Futsal Vlorë, ora 15:00
Elbasani Futsal – Diamant Futsal Elbasan, ora 15:00