Ndërsa bota sheh mizoritë e ushtrisë ruse në Ukrainë, një banor i fshatit Novoselivka, në rajonin e Çernihivit, të Ukrainës veriore, u kthye në shtëpinë e tij të mërkurën, duke u përballur me tmerret e e ofensivës ruse.
Fshati ukrainas Novoselivka, është një prej shumë zonave nga ku janë tërhequr forcat ruse, duke lënë pas rrënoja dhe shkatërrim. Pamjet filmike nga një televizion lokal tregojnë një banor që kthehet tek shtëpia e tij, tashmë e shkatërruar nga ndërhyrja ruse. Ai ka frikë të tregojë emrin e tij ndërsa thotë se fshati u godit nga artileria ruse.
Pasi hap portën e oborrit, para syve të tij shfaqen rrënojet e asaj që dikur ka qënë shtëpia e familjes së tij. Zemërimi i pafund shihet qartë në fytyrën e tij. Gjithçka ndryshon kur dëgjon zërin e maces që vjen nga rrënojat.
“Predhat shkatërruan gjithçka. Shtatëmbëdhjetë persona ishin fshehur në bodrum. Menduam se do të mbaronte shpejt, por shikoni shkatërrimin”.
Ai thotë se pjestarët e familjes së tij shpëtuan. Një fshat plot njerëz dhe jetë, tashmë është kthyer në rrënoja nga sulmi rus. Ai thotë se ushtria e Kremlinit përdori predha të posaçme për të shkaktuar sa më shumë shkatërrime.
“Pjestarët e familjes shpëtuan falë bodrumit të ndërtuar nga gjyshi. Të gjithë u strehuan atje. Të gjithë vepruan së bashku dhe ndihmuan edhe nënën time të moshuar”.
Në fillim të kësaj jave, ushtria ukrainase tha se forcat e saj kishin rimarrë disa qytete në rajonin verior të Çernihivit dhe po shpërndanin ndihma humanitare.
Por nga an a tjetër, Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka paralajmëruar se forcat ruse janë rigrupuar për të ndërmarrë sulme të reja në lindje dhe jug të Ukrainës./VOA