Fronti Europian njëzëri: Të mbyllen të gjitha lojërat e fatit, fizikisht dhe online

min lexim

Deputetët e Aleancës për Shqiptarët, pjesë e Frontit Europian, Elmi Aziri dhe Ilire Dauti të cilët dje në Kuvend dorëzuan propozim ligjin për lojërat e fatit, sot morën mbështetjen e të gjithë deputetëve nga radhët e Frontit Europian. Aziri njofton se ky propozim ligj parasheh mbylljen e të gjitha objekteve të lojërave të fatit dhe lejimi i tyre vetëm në hotelet me pesë yje. Presin mbështetje nga të gjitha partitë politike në Kuvend.

Propozim-ligji sipas Azirit, përpos objekteve parasheh edhe mbylljen totale të lojërave online.

Por çfarë ndryshoi tek BDI, parti që para disa muajsh në Kuvend kërkonte të votohet një tjetër propozim ligj, i cili do të lejonte që të hapen shoqëri tjera tregtare online, ndërsa nuk parashihte mbylljen totale të objekteve por vetëm largimin e tyre 500 metra nga objektet shkollore. Deputeti Blerim Bexheti nuk dëshiroi të komentojë propozim ligjin e para katër muajsh, por vetëm bëri thirrje që të mbështetet propozim ligji i ri i dorëzuar nga ASH-ja e Selës.

Këtë propozim të Frontit Europian, deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Sali, e quan ironike. Thonë se BDI ishte ajo që deri dje e mbushi vendin me kazino, e tani papritmas si opozitë kërkon mbylljen.

Përndryshe në muajin shkurt, propozim ligji të cilin refuzoi ta nënshkruajë ish presidenti Stevo Pendarovski, parashihte hapjen e lotarive të reja dhe bastoreve online, por edhe formimin e katër shoqërive aksionare, të cilat do të kontrollonin dhe zbatonin industrinë e lojërave të fatit. Pendarovski ligjin në fjalë nuk e nënshkroi për arsye se kaloi me flamur europian, ndërsa herën e dytë nuk mblodhi votat e nevojshme nga deputetët në Kuvend.

Burimi: tv21

Story i mëparshëm

​Kosova bëhet me 100 noterë të rinj

Story i radhës

Filipçe: Samiti i NATO-s ishte debakli më i madh i delegacionit të RMV-së

Të fundit nga