Frontex: Një marrëveshje, shumë fjalë

min lexim

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

Malinka Ristevska Jordanova

Marrëveshja për aktivitetet operative të FRONTEX-it në Maqedoninë e Veriut tërhoqi vëmendjen më të madhe nga të gjitha marrëveshjet e BE-së të këtij lloji të lidhura me „vendet që nuk janë anëtare të BE-së”. Vëmendja nuk është e drejtuar kah përmbajtja ose domethënia e marrëveshjes, por tek fakti që në dispozitat e saj përfundimtare në vend të formulimit të deritanishëm të marrëveshjeve me BE-në se është e përpiluar në „gjuhët zyrtare të palëve”, te kjo e fundit janë shënuar në mënyrë taksative gjuhët zyrtare, kështu që në mënyrë shprehimore vendoset „gjuha maqedonase”. Edhe marrëveshjet e mëparshme janë firmosur dhe publikuar në gjuhën maqedonase, por dallimi qëndron tek emërtimi i gjuhës. Përndryshe, kjo duhej të kishte ndodhur menjëherë pas Marrëveshjes së Prespës, por atëherë Propozimin e Komisionit Evropian për firmosjen e një marrëveshjeje statusore e bllokonte Bullgaria. Propozimi i ri i Komisionit i shtatorit të vitit 2022 nuk u bllokua pas dy deklaratave të parashtruara në BE nga Bullgaria dhe Maqedonia për gjuhën maqedonase.

Tani të rikthehemi tek vetë marrëveshja. Së pari për Frontex-in – Agjencinë e BE-së për menaxhimin me kufijtë dhe rojet bregdetare. Kjo është një ndër agjencitë më të mëdha të BE-së. Nga fillimi (në vitin 2004) e deri më tani kompetencat e saj janë rritur dukshëm. Nga një Agjenci me rol primar koordinativ, ajo u pajis me autorizime efektive për funksionimin e kontrollit kufitar të kufijve të jashtëm të BE-së dhe u bë subjekt i pavarur nëpër operacione, alokim, përndjekje dhe hetime. Ajo tani është agjencia e vetme e cila ka shërbim të uniformuar në BE. Njëherit është edhe agjencia me buxhetin më të lartë në BE, me buxhet vjetor prej rreth 800 milionë eurosh, i rritur tetë herë në periudhën prej vitit 2014 deri në vitin 2022, gjë që më së shumti është për shkak të krizës me migrantët.

Marrëveshja e cila është firmosur dje është e rangut të të ashtuquajturave „marrëveshje statusore”, të cilat në pajtim me Regullativën për Frontex-in, BE-ja mund t’i lidhë me vende të treta. Vetë Frontex-i mund të lidhë „angazhime pune”, siç kishte lidhur Ministria jonë e Punëve të Brendshme në vitin 2014, por ato nuk kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare. Marrëveshje statusore tashmë kanë lidhur Shqipëria, Mali i zi dhe Serbia, ndërsa që po vazhdojnë bisedimet me Bosnjën dhe Hercegovinën. Për dallim nga marrëveshjet e tjera të ngjashme me vendet e rajonit, marrëveshja jonë nuk e ka titullin „marrëveshje statusore”, edhepse në vetë përmbajtjen identifikohet si e tillë.

Marrëveshja RMV-Fronteks
Marrëveshja RMV-Fronteks

Marrëveshja ofron bazë juridike për rreshtimin e ekipeve të Frontex-it me autorizime efektive në Maqedoni dhe për bashkëpunim operativ (në formën e operacioneve të përbashkëta ose intervenimeve të shpejta kufitare). Jepet mundësi edhe për themelimin e të ashtuquajturave „Antena” – zyra të Frontex-it për koordinim të aktiviteteve operative në vend. Kushte të rëndësishme për sigurimin e respektimit të të drejtave themelore dhe rregullave për të dhënat personale. Dallimi me marrëveshjet tashmë të lidhura me shtetet e tjera të rajonit është se në marrëveshjen me vendin tonë nuk përmendet mundësia për operacione për kthim të të dëbuarve nga vendet anëtare.

E logjikshme është që të parashtrohet pyetja se mbi çfarë baze deri tani kanë qenë të alokuar policë nga shtetet anëtare nëpër kufijtë e Maqedonisë. Sqarimi ishte se ato nuk kanë qenë njësi të Frontex-it, por policë të caktuar nga shtetet anëtare me kërkesë të Qeverisë së Maqedonisë. Baza juridike gjendej në Ligjin për kontroll kufitar, i cili mundëson që policë të huaj të kryejnë veprime të kontrollit kufitar, por vetëm në bazë të një marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare, por marrëveshje të tilla nuk kishte.

Së fundmi, e paevitueshme ishte që të përmenden edhe skandalet që e „bënë të famshëm” Frontex-in vitet e fundit, ndërsa kulminacionin e patën me refuzimin e Parlamentit Evropian që ta miratojë buxhetin e Agjencisë për vitin 2020. Kritikat e vazhdueshme nga organizatat joqeveritare për mosrespektimin e të drejtave të njeriut tek migrantët e morën vërtetimin tek konstatimet e Gjykatës së Revizorëve të BE-së. Ato kanë konstatuar se Agjencia ka marrë pjesë nëpër aktivitete për dëbimin e migrantëve nga brigjet greke drejt Turqisë, e ky raport „rrodhi” nëpër medie para publikimit. Kritika të tjera kishte në lidhje me menaxhimin e keq të burimeve njerëzore, posaçërisht gjatë regrutimit të ekipeve të uniformuara, por edhe takimeve të padeklaruara pa lobistë. E gjithë kjo rezultoi me dorëheqjen e drejtorit të atëhershëm të Agjencisë, por për opinionin evropian këto çështje ende janë një temë e hidhur.

Burimi: portalb.mk

Story i mëparshëm

SHBA, ndihmë të re ushtarake prej 275 milionë dollarësh për Ukrainën

Story i radhës

Mbyllet marrëveshja, Elon Musk është pronari i ri i Twitter

Të fundit nga