Një raport i hartuar në lidhje me situatën e përgjithshme në Kosovë, nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka vënë theksin te pjesa veriore e vendit.
Sipas Guterresit, “atmosfera në Kosovën veriore mbetet e tensionuar dhe potenciali për përshkallëzim vazhdon”.
Ai u ka bërë thirrje palëve të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese.
Guterres në këtë raport, ka kritikuar edhe “veprimet e njëanshme” të Qeverisë së Kosovës, ndër të cilat përmend mbylljen e institucioneve të financuara nga Serbia dhe hapat drejt rihapjes së urës së Mitrovicës, si dhe kufizimet ndaj mallrave serbe dhe zbatimi i rregullores së re për përdorim të valutave.
“Veprime të tilla jo vetëm që prishin jetën e përditshme dhe të drejtat socio-ekonomike të të prekurve, por gjithashtu rrezikojnë përparimin dhe stabilitetin kolektiv që janë thelbësore për një të ardhme paqësore dhe të begatë të përbashkët nga të gjithë”, ka thënë Guterres në këtë raport.
Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Drizan Shala, ky raport ishte i njohur për diplomacinë.
Por, ai ka kritikuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, për mënyrën se si është hartuar raporti, duke marrë parasysh faktin se si ka ardhur te situata e tensionuar në veri nga pala serbe.
“Raporti i shefit të OKB po e dëshmon atë që tani është e njohur për opinionin diplomatik në pika të shkurtra, që situata në veri është jo e favorshme nga polarizimi, por edhe betonizimi i qëndrimeve të palëve në proces të dialogut.
Prandaj, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nuk e ka marr në konsideratë gjendjen faktike se si ka ardhur e gjitha situata në veri nga pala serbe, duke mos pasqyruar në formën faktike që kërcënimi real dhe faktik i prishjeve të balancave të sigurisë në veri të vendit është Beogradi dhe politika e tij zyrtare”, ka deklaruar eksperti për gazetën “Bota sot”.
Ai i ka dhënë sugjerime diplomacisë së Kosovës, se si t’i përgjigjet këtij raporti.
“Mund të themi që këtij raporti, diplomacia kosovare duhet t’i përgjigjet duke argumentuar të kundërtën mbi bazën e pretendimit të këtij raporti që metodologjia e përdorur nuk është analitike, por më shumë përshkruese e zyrës së UNMIK-ut në Prishtinë, se sa informacionet që mund të vihen nga institucionet tona të RKS që ishin angazhuar në veri të vendit për rend dhe ligj”, ka theksuar Drizan Shala për “Bota sot”.
Se në Kosovë vazhdojnë tensionet dhe situata e sigurisë është e paqëndrushme, e ka konfirmuar sot edhe Aleanca Veriatlantike (NATO).
Edhe NATO ka inkurajuar institucionet e Kosovës për angazhim në dialogun me Serbinë.
“Aktualisht vazhdojnë tensionet dhe paqëndrueshmëria, veçanërisht në veriun e Kosovës, duke kërkuar një rritje të trupave të KFOR-it që nga maji 2023. Ne inkurajojmë institucionet në Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të ndihmuar në konsolidimin e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është thënë nga NATO.
Burimi: botasot.info