Milan dhe Rafael Leao po flasin seriozisht për rinovimin. Të paktën kështu filtroi sulmuesi portugez pas ndeshjes në Kupën e Botës në Katar me Portugalinë e tij ndaj Uruguajit. Për të kuptuar nëse “tymi” do të jetë i zi apo i bardhë, do të duhet të presim që vetë Leao të kthehet nga Kupa e Botës, por fjalët na lejojnë një herë të hedhim vështrim pozitiv: “Takimi me Maldinin para largimit drejt kombëtares ishte pozitiv”.
Bisedimet për nënshkrimin e marrëveshjes së re, me aktualen që skadon në qershor 2024, kanë vazhduar prej muajsh, por komplikimet nuk mungojnë mes shumë subjekteve me të cilët duhet të ndërlidhen Milanin dhe gjoba që do t’i paguhet Sporting Lisbonës. Kjo e fundit ka komplikuar gjithçka.
Gjithsesi, vullneti i klubit kuqezi është i qartë dhe do të çonte edhe tejkalim të buxhetit për pagat, por ende nuk është gjetur një ekuilibër me Rafael Leaon dhe përfaqësuesit e tij. Në prapavijë frikëson mundësia për ta humbur atë me parametra zero më 2024. Prandaj, duhet menduar edhe plani B, për ta shitur portugezin dhe mbledhur para.
Oferta më e lartë për Leao është ajo e Chelsea, e përfolur në shifrat e 100 milionë eurove. Shitja e tij nuk është ajo që dëshiron Milani, Paolo Maldini synon ta ndërtojë të ardhmen e kuqezinjve rreth portugezit, por llogaritë duhen bërë mirë, që të mos përsëritet precedenti “Donnarumma” dhe “Kessie” (u larguan falas).
Nga Katari, Rafael Leao për momentin nuk e ka dribluar pyetjen, duke dhënë një përgjigje domethënëse, por jo vendimtare: “Jam i lumtur dhe krenar te Milani, por duhet të qëndroj i fokusuar në Kupën e Botës. Kur të kthehem në Milano, do të flas me klubin. Para se të vija në kampin stërvitor me Portugalinë patëm një takim pozitiv me Maldinin. Kur të kthehem, do të flasim shtruar për këtë”.
Fjalë që ngjallin besim në rezultatin pozitiv të negociatave, edhe nëse drejtuesit e kuqezinjve u dogjën prej deklaratash të ngjashme nga Franck Kessie sezonin e kaluar.