Franca tërhoqi trupat e saj të fundit nga Republika e Afrikës Qendrore (CAR), njoftoi Ministria franceze e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
130 ushtarët e fundit francezë në CAR, si pjesë e misionit logjistik MISLOG, u larguan nga vendi, tha ministria në një deklaratë, duke theksuar se misioni nuk kishte më “asnjë justifikim operacional”.
“Kampi M’Poko iu dorëzua në mënyrë të duhur autoriteteve të Afrikës Qendrore më 13 dhjetor” në mënyrë transparente dhe në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e vendit, thuhet në deklaratë.
Procedura është koordinuar me dy misione ndërkombëtare të vendosura në të njëjtin kamp, MINUSCA dhe EUTM-RCA, sipas ministrisë franceze.
Marrëdhëniet midis Francës dhe Republikës së Afrikës Qendrore u tensionuan në vitin 2021.
Parisi pezulloi bashkëpunimin ushtarak me vendin më 7 qershor 2021, duke e akuzuar atë për drejtimin e fushatave kundër Francës dhe duke njoftuar tërheqjen e trupave të tij të fundit në kryeqytet, Bangui, përpara fundit të vitit 2022.
Bangui hoqi postin e dekanit të trupit diplomatik në CAR në nëntor 2022, një privilegj që u ishte dhënë ambasadorëve francezë që nga viti 1960.