Franca do të ofrojë ekspertizën e saj në fushën e sigurisë kibernetike për institucionet qeveritare në Mal të Zi, me kërkesë të këtij vendi anëtar të NATO-s, i cili është objektiv i një sulmi të madh hakerësh ndaj institucioneve qeveritare, njoftuan sonte autoritetet franceze.
“Qeveria franceze i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së autoriteteve malazeze dhe po vë në dispozicion Agjencinë Kombëtare për Sigurinë e Sistemeve të Informacionit (ANSSI) për të kryer një mision mbështetjeje dhe asistence në zbulimin, analizën dhe përmirësimin e sigurisë kibernetike,” tha përfaqësuesi i qeverisë i ngarkuar për tranzicionin digjital dhe telekomunikacionin Jean-Nowl Barrot.
Sipas tij, ANSSI do t’i sigurojë Malit të Zi kapacitetet e tij për analiza dhe këshilla, ekspertizë dhe njohuri për të nisur masat e para emergjente.
Barrot shtoi se misioni është në përputhje me projektin e krijimit të një qendre rajonale për zhvillimin e kapaciteteve kibernetike, të udhëhequr nga Franca dhe Sllovenia, me seli në Mal të Zi.
Ndryshe, serverët e qeverisë së Malit të Zi ishin ende sot objektiv i sulmeve kibernetike, por ato janë neutralizuar, sipas autoriteteve.
Ata thonë se të dhënat e qytetarëve janë të sigurta, por paralajmërojnë se këtyre sulmeve nuk u duket fundi. As motivet dhe as pasojat nuk janë vërtetuar ende, thonë zyrtarët.
Deri më tani dihet se të dhënat në kompjuterët e nëpunësve civilë janë komprometuar. Dyshohet se prapa sulmeve qëndrojnë hakerë nga Rusia.