2
Shkup, 8 maj – Mungesa e fuqisë punëtorë, ikja e punëtorëve jashtë vendit dhe mbajtja e vendeve të punës, ishin tre çështjet kryesore të edicionit të sivjetmë të Forumit të Kompanive të Suksesshme. Sektori i biznesit thotë se këto tre gjëra janë kryesore dhe thelbësore për të zhvilluar suksesshëm bizneset e tyre në vend. Paga është prioritet, por edhe ndjenja e përkatësisë së punëtorëve në kompani është po aq e rëndësishme për t’i mbajtur vendet e punës. Sytë e institucioneve duhet të jenë të kthyera në përgatitjen e fuqisë së re punëtore dhe përgatitjen e punëtorëve dhe punëdhënësve për pritshmëritë, nevojat e të dyja palëve, u tha me këtë rast.
“Ne duhet patjetër të shikojmë në tregun e fshehur të punës, që do ta aktivizojë përmes mentorimit social. Është një metodologji e zhvilluar tek ne, ku përmes kësaj, po trajnohen mentorë në katër shtete të rajonit dhe sjell rezultate të shkëlqyeshme. Sipas hulumtimeve që po u bëjmë të punësuarve të rinj, tre muaj pas punësimit të tyre ka rezultuar se përqindja e punëtorëve që qëndrojnë në vendin e tyre të punës është 7.05 për qind, që është diçka që duhet të shfrytëzojmë dhe të shikojmë si potencial për të aktivizuar fuqinë e re punëtore.”, – deklaroi drejtoresha ekzekutive e Kompanisë për Mentorim Social, Klimentina Ilievski.
Për të rritur numrin e të punësuarve në treg, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, si dhe ajo e politikës sociale, janë duke punuar në një projekt, ku rreth 120 shfrytëzues të ndihmës sociale pritet të kyçen në tregun e punës.
“Ne kemi potencial në vend, ku përmes masave aktive që po i ndërmerr Qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Agjencia për Punësim angazhohemi që ai diapazon sa më shumë të zgjerohet, ku do të përfshihen më shumë kategori të njerëzve, që jo vetëm të punësohen, por ne duhet bashkërisht të punojmë edhe që ata njerëz të qëndrojnë në vendet e tyre të punës.”, – deklaroi zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marijan Risteski.
Në tregun e punës gjithnjë e më shumë mungojnë zejtarë, bravarë dhe zdrukthëtarë, ndërsa tek kompanitë me kapital të huaj, mungojnë punëtorë me kualifikim të ulët dhe kuadro profesionale me arsim të lartë.
“Kur jemi duke biseduar për produktivitetin dhe mbajtjen e vendeve të punës, nuk flasim vetëm për numra, por flasim për kompanitë që duhet të krijojnë atmosferë të volitshme, që të mund t’i mbajmë në vendet e tyre të punës kuadrot profesionale me arsimim të lartë. Njëherit duhet të bisedojmë edhe për zgjerimin e tregut të punës.”, – theksoi drejtori ekzekutiv i Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Internacional, David Oberhuger.
Mbi 100 mijë persona të papunë në mënyrë të rregullt kërkojnë punë, ndërsa mbi 260 mijë persona të tjerë nuk janë regjistruar si kërkues aktiv në Agjencinë për Punësim. Në shpalljet për punësim aktualisht po kërkohen mbi 10 mijë punëtorë në treg, ndërsa në to shpeshherë paraqiten për të bërë punë shtesë edhe të punësuar të rregullt të cilët dëshirojnë të ardhura shtesë mujore, u tha në edicionin e 5-të forumit të kompanive të suksesshme.
BURIMI: zhurnal.mk