Forcat ruse kanë marrë nën kontroll gjysmën e qytetit Sievierodonetsk në Ukrainën lindore.
“Qyteti po shkatërrohet në mënyrë të pamëshirshme bllok pas blloku,” tha kryebashkiaku Oleksandr Striuk për agjencinë Associated Press.
Ai tha se luftimet e ashpra në rrugët e qytetit vazhdojnë dhe bombardimet kërcënojnë jetën e rreth 13,000 civilëve që ende janë strehohen në qytetin e shkatërruar që para luftës kishte më shumë se 100,000 banorë.
Kryebashkiaku thotë se është e pamundur të përcaktohet me saktësi se sa viktima civile ka pasur për shkak të bombardimeve të pandërprera, por ai beson se më shumë se 1,500 banorë kanë vdekur për shkaqe të ndryshme që nga fillimi i agresionit rus në fund të shkurtit.
Përpjekjet për evakuim janë ndalur për shkak të bombardimeve.
Energjia elektrike në qytet është ndërprerë dhe njerëzit kanë nevojë për ujë, ushqim dhe ilaçe, tha kryebashkiaku.
Marrja nën kontroll e Sievierodonetskut është e rëndësishme për përpjekjet ruse për të marrë rajonin e Donbasit.
Separatistët e mbështetur nga Moska kishin nën kontroll një pjesë të territorit në rajon që para agresionit dhe kanë luftuar kundër trupave ukrainase prej tetë vjetësht.
Sievierodonetsku është në zonën e fundit që mbetet nën kontrollin e qeverisë ukrainase në rajonin e Luhanskut.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se situata në Donbas mbetet “jashtëzakonisht e vështirë” pasi Rusia po ushtron “fuqinë maksimale luftarake” të ushtrisë së saj në atë rajon./VOA