Tre palestinezë u vranë në një sulm të forcave izraelite pranë qytetit të Nablusit në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, njoftoi Ministria palestineze e Shëndetësisë, transmeton Anadolu.
“Asambleja e Përgjithshme e Çështjeve Civile (e lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës) na ka njoftuar se tre palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga pushtuesit drejt tyre, në afërsi të Nablusit”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Televizioni shtetëror palestinez raportoi gjithashtu se ushtria izraelite shënjestroi një automjet palestinez në një pikë kontrolli ushtarak pranë qytetit të Nablusit.
Në lajm nuk janë përfshirë detaje të tjera.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichay Adraee deklaroi se në një “përleshje të armatosur” në Nablus janë vrarë tre palestinezë dhe një person është arrestuar.
Në deklaratë, theksohet se asnjë ushtar izraelit nuk u lëndua nga incidenti.
“Masakra e Nablusit” e ushtrisë izraelite
Më 22 shkurt, forcat izraelite bastisën qytetin e Nablusit në veri të Bregut Perëndimor nga disa pika.
Duke rrethuar një shtëpi në qytetin e vjetër historik të Nablusit, ushtarët izraelitë ndërhynë me plumba të vërtetë kundër palestinezëve që protestonin kundër bastisjes, duke vrarë 11 palestinezë, duke përfshirë një fëmijë dhe dy të moshuar, dhe duke plagosur më shumë se 100 palestinezë, gjashtë prej tyre rëndë.
Që nga fillimi i vitit, 84 palestinezë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.