Vetëm në dy ditët e fundit në pikë kalimin kufitar Qafë Thanë kanë hyrë e kanë dalë afro 30.000 shtetas shqiptarë të Maqedonisë se Veriut, por edhe të huaj.
Pjesa më e madhe e tyre kanë deklaruar se vijnë për të kaluar pushimet në bregdetin tonë ndërkohë që një pjesë jo e vogël e shtetasve të huaj, të ardhur nga vendet e Europës Lindore kanë bërë me dije në stacionin kufitar se përdorin vendin tonë për të kaluar transit në BE.
Fluksi i këtyre dy ditëve është më i larti i hyrje daljeve nga Maqedonia e Veriut në drejtim të vendit tonë.
Për të përballuar këtë fluks të jashtëzakonshëm policia shqiptare dhe ajo maqedonase kanë shtuar punojësit e shërbimit, ku të dyja palët po punojnë me orë të zgjatura.
Krejt ndryshe paraqitet situata në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës gjatë gjithë kësaj periudhe, ku numri i hyrjeve daljeve është në minimum.
Një ditë më parë kanë hyrë e kanë dalë nëpërmjet tokës shqiptare dhe asaj helene rreth 6000 shtetas, numër i ulët ky krahasuar me vitet e tjera në këtë periudhë.