Largimi i aktorit Florjan Binaj nga “Portokalli” është shoqëruar me shumë lajme e ndonjëherë spekulime online, duke qenë se arsyet që e bënë të marrë një vendim të tillë mbetën të paqarta. I ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”, Flori theksoi sërish çështjen e të drejtave të autorit, duke lënë të kuptohet se të drejtat e tij si krijues dhe interpretues i shumë numrave në “Portokalli” nuk janë respektuar.
“Jo vetëm në Top Channel, por dhe në shumë televizione të tjera nuk respektohen të drejtat e autorit. Në Portokalli kam qenë krijues dhe interpretues i numrave të mi dhe shumë të tjerëve. Ndoshta ndonjëherë nga padija, nga mosdashja e të ruajturit të këtyre gjërave, ndodh që nuk duron më dhe mban një qëndrim. Të ruash dinjitetin tënd ose të përtypesh dhe të vazhdosh përpara. Këto janë gjëra që publiku nuk i di normalisht, sepse janë gjëra të brendshme.
Ideja është që me ligjin shqiptar, minimumi duhet të dalë emri i atij që ka e shkruar, siç del edhe në festival… teksti, muzika, këndon filani. Ligji është i rregullt, puna është tek zbatimi. Këtu kanë rënë dakord, por nuk e zbatojnë,” -u shpreh Flori.
Ai shtoi në fund se një nga arsyet e largimit nga spektakli i humorit ka qenë dhe familja e tij, duke thënë se duke punuar gjithë ditën nuk arrinte të kishte kohë mjaftueshëm për fëmijët.