Boksieri shqiptar Florian Marku (12 fitore e 1 barazim në karrierën e tij), në një postim në rrjetet sociale ka rrëfyer se në sfidën e fundit të zhvilluar e fituar në gusht të këtij viti ndaj meksikanit Miguel Parra Ramirez, ka dueluar i dëmtuar. Marku ka postuar disa foto, ku tregon dorën e tij të dëmtuar e megjithatë ai nuk është tërhequr, duke sqaruar edhe arsyet.
“Ky dëmtim më ndodhi 20 ditë para ndeshjes së madhe që zhvillova në Tiranë”, thotë Marku, duke treguar dorën e djathtë të operuar. Në fakt, ai operacionin e zhvilloi pas këtij dueli. “Dora duhej operuar direkt, por nuk mund ta anulloja një ndeshje si kjo dhe më duhej të ndeshesha edhe pse me dorën e dëmtuar”, shprehet Marku.
“Jam stërvitur vetëm me një dorë për rreth 3 javë. Hera e parë që e godita me dorën e djathtë dhe vura dorezë ishte nata e ndeshjes. Ju garantoj, nuk ka boksier në botë të futet me një dëmtim si ky në një ndeshje boksi përveç meje. Tani dora është operuar dhe jam në fazë rikuperimi”, thotë Florian Marku.
Në fund, boksieri i pamposhtur shqiptar zbulon edhe projektet për të ardhmen: “2023-shi do jetë viti më i madh i karrierës sime. Nëse do të jem i shëndetshëm, gati mendërisht dhe fizikisht, dashtë Zoti, nuk do të ketë asnjë në botë që do të arrijë të më mundë në ring. 2023-shi do të flasi vetë”.