Disa automjete të mërgimtarëve shqiptarë që kanë mësyrë Jarinjen për të hyrë sot në Kosovë, kanë mbetur të bllokuar për shkak të masës së serbëve të mbledhur në Rudare.
Në mesin e atyre që kanë mbetur të bllokuar janë edhe familja e vajzës së Hamit Jasharit.
Ky i fundit ka treguar se në mesin e të bllokuarve janë edhe disa automjete të tjera me mërgimtarë që këtyre ditëve po kthehen për pushime në Kosovë.
Jashari: Vajza me familje ka mbetur e bllokuar në Rudare
“Vajza nga pardje është nisur nga Bremeni (i Gjermanisë) me bashkëshort, me vajzë dhe me djalë, dhe kanë mbetur dhe kanë mbetu të bllokuar në Rudare… A është e rrezikuar apo jo, nuk kam njohuri, por ata kanë frikë dhe më thirri e më tha baba të lutem urgjentisht lajmëro se kemi mbetur të bllokuar. Ka edhe të tjera familje, por unë e lajmërova vajzën time që është 100 për qind në bllokadë”, tha Jashari.
Ndryshe, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri, një ditë para hyrjes në fuqi të masave të reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia.