Fjalimi i parë i kryeministres së re të Britanisë së Madhe, Liza Truss, që tani është edhe lidere e Partisë Konservatore dhe të Unionit, kishte nota bashkimi.
I mbajtur brenda Partisë Konservatore, e duke folur si lidere e kësaj partie, Truss, pasi falënderoi të gjithë për mbështetjen, që nga familja e deri tek kombi, nuk la pa përmendur edhe kontributin e kabinetit qeveritar të ish kryeministrit Boris Johnson, pjesë e të cilit ishte edhe vetë.
Ajo falënderoi edhe ish kryeministrin Boris Johnson. Pasi ia përmendi disa të arritura të tij, siç ishte edhe BREX-it (dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja), falënderoi të gjithë ata që kanë pasur besim tek ajo për të drejtuar Partinë Konservatore, të cilën e quajti si partinë më të mirë në tërë globin.
“E di se besimi ynë është në kohezion me atë të popullit britanik. E ato janë besimi në liri, në mundësinë për të kontrolluar jetën tonë, në taksa më të ulëta dhe në përgjegjësi personale”, tha Truss, në fjalimin parë si drejtuese e Partisë por edhe si kryeministre e Britanisë së Madhe.
“Prandaj e di se për këtë na kanë votuar qytetarët tanë në përqindje aq të lartë në vitin 2019”, deklaroi Truss. “Si lidere e juaja, do të bëj të pamundur për të realizuar ato që u kemi premtuar qytetarëve tanë në tërë vendin”.
Gjatë fushatës për zgjedhje, ajo tha se ka bërë fushatë si konservatore dhe do ta drejtojë vendin si konservatore.
Ajo më tej foli për shkurtim taksash, për tejkalimin e krizës energjetike, por mbi të gjitha për të gjetur zgjidhje në periudha afatgjata për furnizim me energji elektrike.
Për më tepër, ajo tha se Partia Konservatore do të korrë edhe një fitore të madhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.