Ragip Behrami, babai i ish-kapitenit të Zvicrës Valon Behrami, ka thënë se sot është një ditë shumë e veçantë për të gjithë kosovarët, veçanërisht ata që, sikur ai, jetojnë në Zvicër.
Ai, tha se ndonëse ka parë shumë ndeshje të futbollit, edhe në kampionate botërore, ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës – që do të luhet pas pak – është një emocion i veçantë për të.
“Është ditë e veçantë për mua dhe gjithë popullin e Kosovës, sidomos ne që jetojmë në Zvicër. Është fakt se jemi të lidhur me këtë vend. Sot kjo ndeshje do të jetë diçka e posaçme, ndoshta kam kaluar shumë ndeshje të tjera në kampionate botërore, por emocioni dallon. Është Kosova që po ndeshet sot, arriti qëllimet e kahmotshme të të gjithë qytetarëve dhe në veçanti të futbolldashësve. Sot arritëm të luajmë me një skuadër jashtëzakonisht të madhe siç është Zvicra. Është kënaqësia më e madhe e jetës sime është që jap intervistë për ndeshjen Zvicër-Kosovë”.
Behrami ka thënë se nuk mund të bëjë tifo veç për Kosovën ose veç për Zvicrën, derisa thotë se kjo lojë është vëllazërore.
“Është një lojë vëllazërore. Madje, edhe zviceranët me të cilët kam biseduar thonë që është një lojë vëllazërore. Për rezultat nuk po di çfarë të them, por çfarëdo rezultati që do të jetë dua ta përqafoj”.
Ragip Behrami ka thënë se do të donte që edhe djali i tij të ishte pjesë e kësaj super ndeshje, por shton se Valon Behrami – që tashmë është pensionuar nga Kombëtarja e Zvicrës – ka lënë gjurmët e tij.
“Unë jam i kënaqur që janë këta tre [Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Adnan Zeqiri]. Ju dëshiroj lojë të mirë ashtu siç i ka hije një sportisti i cili kur vesh ngjyrat e një skuadre duhet ta mbrojë atë me dinjitet. Besoj që ata do ta bëjnë lojën e vet, por edhe Kosova do ta bëjë lojën e vet. Kosovën e pashë në ndeshjen me Burkina Faso, kur unë erdha në Kosovë vetëm për të qenë i pranishëm në stadium”.
“Kisha pasë dëshirë, por Valoni e ka bërë të veten. Ka bërë çdo gjë, ka lënë shenja. Kishte qenë mirë të ishte edhe Valoni, por prapë se prapë i përcjell ndeshjet”.
Ai ka deklaruar se do të donte që kjo lojë, siç e quan ai vëllazërore, të mbyllej me barazim.
Por, Ragip Behrami, ka folur edhe për nusen e tij Lara-Gut Behrami e cila së fundmi është shpallur kampione olimpike në skijim duke thënë se është kënaqësi të jetosh me dy sportistë të mëdhenj.
“Jam shumë i kënaqur. Jam mirënjohës ta takoj një kampione botërore në të gjitha disiplinat në skijim. Është mbushur shtëpia me plot kupa. Ajo I ka fituar të gjitha kupat që janë në skijim. Është kënaqësi të jetosh me dy sportistë të mëdhenj dhe t’iu ndihmosh. Unë ju kam thënë gjithmonë ‘vazhdojeni jetën sportive, për të gjitha të tjerat jashtë sportit jam unë’”.