Qytetarë të mbledhur në protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kërkojnë miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshime-plotësime të Ligjit për Specialen në Hagë, duke bërë thirrje për vazhdimin e protestave deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Hajdin Daga nga Lipjani, pensionist në Zvicër, tha për kp se kishte dalë në protestë për të përkrahur kauzën, duke shprehur kritika ndaj zhvillimeve të fundit politike.
Pensionisti në Zvicër: Kam fatin ta përkrah këtë ligj, për ta kaq munda të bëj
“Unë jam një pensionist nga Zvicra. Këtu duhet dy milionë shqiptarë me e pa se ky njeri nuk lejon, ky do të shpallet mbreti i shqiptarëve, ky kryeministër i sotshëm. Unë kam dalë me përkrah këtë ligj se mbrëmë kam qarë kur e bëri atë marrëveshje Rrahman Rama me komandantin e policisë. Kam qarë si fëmija para gruas dhe fëmijëve të mi. Kurrë nuk kam menduar që do të kemi një marrëveshje shtetërore dhe patriotike shtetërore. Janë policët tanë, kush e pruri ata, UÇK-ja. Këto tri shkronjat, unë s’kam pasur fatin me qenë në luftë, sot kam fatin ta përkrah këtë ligj, për ta kaq munda të bëj”, u shpreh qytetari.
Ndërsa, Veli Morina nga Klina tha se protestuesit do të qëndrojnë në shesh, duke protestuar derisa të miratohet Ligji për Specialen.
Morina: Ose ligji, ose bie qeveria
“Ja fitohet ligji, ja bie qeveria. Nuk munden me i bërë votat. Prapëseprapë kemi me dalë në rrugë. Sheshi është i bllokuar këtu, kemi me qëndruar sonte. Prej mbrëmë jemi këtu”, tha Morina.
Edhe Përparim Berisha nga Grabovci tha se ka ardhur nga Gjermania për të marrë pjesë në protestë dhe se do të qëndrojë në shesh deri në zgjidhjen e çështjes.
Berisha: Do të rri në shesh për të drejtat e UÇK-së, për çlirimtarët tanë
“Unë jam qe 33 vjet në Gjermani. Prej datës 16 jam këtu në shesh dhe do të rri në shesh deri të zgjidhet ligji. Do të rri në shesh për të drejtat e UÇK-së, për çlirimtarët tanë, që ata të vijnë të lirë në vendin tonë. Kjo është e pakta që mundemi me bo për ta”, tha Berisha.
Ndërsa, Shaban Shabani nga Komuna e Drenicës tha se protestat janë e vetmja rrugë për të kërkuar zgjidhje.
Shabani: Veç me protesta s’ka tjetër zgjidhje
“Veç me protesta s’ka tjetër zgjidhje s’po duan marrëveshje. Duhen protesta derisa të na lirohen çlirimtarët e Kosovës”, tha Shabani.
Protestat “Jo në emrin tim” po mbahen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë qysh nga 16 shtatori, kur në Hagë Gjykata Speciale shpalli aktgjykimin dënues për katër drejtuesit e UÇK-së.
Burimi: botasot.info


