Në fjalime duel jo shumë larg nga Kongresi amerikan të martën, ish-presidenti Donald Trump përsëriti pretendimet e rreme për zgjedhjet që shkaktuan sulmin e 6 janarit, ndërsa ish-nënpresidenti i tij, Mike Pence, i bëri thirrje Partisë Republikane të mos hidhte më vështrimin nga e shkuara.
Megjithëse ka gjasa të jenë rivalë të mundshëm për të kërkuar kandidaturën e partisë republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 – asnjë prej tyre nuk ishte gati të shpallte fushatën. Por fjalimet e tyre nënvizuan ndasitë në parti midis besnikëve të Trumpit dhe atyre republikanë, të cilëve mund t’i pëlqejnë ende idetë e Trump, por që janë më se të gatshëm për të ecur përpara.
Ish presidenti nuk ishte i gatshëm të vazhdonte më tej.
“Ato zgjedhje ishin një katastrofë. Një turp për vendin tonë,” tha zoti Trump, duke këmbëngulur pavarësisht të gjitha provave se ai kishte fituar në vitin 2020. Dhe ai vazhdoi të ngacmonte idenë e planeve të tij për të ardhmen, duke i thënë turmës së tij brohoritëse: “Ne thjesht mund të duhet të hyjmë përsëri.”
Zyrtarët e zgjedhjeve federale dhe shtetërore nga të dyja partitë dhe vetë prokurori i përgjithshëm i Trumpit kanë thënë se nuk ka asnjë provë të besueshme se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara. Akuzat e ish-presidentit për mashtrim u refuzuan gjithashtu nga gjykatat, duke përfshirë gjyqtarët e emëruar nga Trumpi.
Në një qasje të kundërt nga Trumpi, ish nënpresidenti Pence tha: “Disa njerëz mund të zgjedhin të fokusohen në të kaluarën, por zgjedhjet kanë të bëjnë me të ardhmen.”
Duke iu drejtuar Fondacionit të Amerikës së Re, një grup studentor konservator, zoti Pence tha: “Unë besoj se konservatorët duhet të përqëndrohen tek e ardhmja për të rifituar Amerikën. Ne nuk mund të lejojmë t’i heqim sytë nga rruga përpara nesh, sepse vetë mbijetesa e mënyrës sonë të jetesës është në rrezik”.
Donald Trumpi gjithashtu tha se mbijetesa e Amerikës ishte në rrezik. Në një fjalim të përqendruar në sigurinë publike, ai tha se vendi ishte në rrezik të menjëhershëm nga krimi. Ai bëri thirrje për ekzekutimin e tregtarëve të drogës, dërgimin e të pastrehëve në qytetet që i mbrojnë ata dhe zgjerimin e murit të tij kufitar jugperëndimor për të mbajtur jashtë Amerikës mijëra kriminelë të dhunshëm që ai tha se rifilluan të derdheshin në vend pasi Joe Biden erdhi në Shtëpinë e Bardhë.
Donald Trumpi iu drejtua një takimi të nivelit të lartë të organizuar nga një grup ish-zyrtarësh të Shtëpisë së Bardhë dhe anëtarësh të kabinetit, të cilët kanë hartuar një axhendë për një administratë të dytë të mundshme të zotit Trump.
Por ai kaloi shumë kohë duke përsëritur ankesat e tij të zakonshme.
“Nëse do të hiqja dorë nga besimet e mia, nëse do të pranoja të heshtja, nëse do të qëndroja në shtëpi dhe do ta merrja me lehtësi, persekutimi i Donald Trump do të ndalej menjëherë”, tha ai. “Por kjo nuk është ajo që do të bëj”.
Ishte udhëtimi i tij i parë në Uashington që nga 20 janari 2021, kur zoti Biden u betua në detyrë, pavarësisht përpjekjeve të furishme të Trumpit për të mbetur në pushtet.
Ai foli pasi disa nga rivalët e tij të mundshëm të vitit 2024 janë bërë gjithnjë e më të zëshëm në gatishmërinë e tyre për ta sfiduar atë. Ata përfshijnë ish nënpresidentin Pence, i cili përshkroi “Axhendën e tij të Lirisë” në një fjalim aty pranë.
Ish-partnerët e Shtëpisë së Bardhë po bënin sërish paraqitje në duel pas fushatës për kandidatët rivalë që mbështetën në Arizona të premten. Fjalimet e tyre të veçanta vijnë mes njoftimeve se ish-shefi i personelit të zotit Pence, Marc Short, dëshmoi para një jurie të madhe federale që po heton sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA.
Zoti Short ishte në Kapitol atë ditë ndërsa zoti Pence u largua nga një turmë e zemëruar rebelësh që kërkuan varjen e tij pasi Trumpi këmbënguli në mënyrë të gabuar se ish nënpresidenti Pence kishte fuqinë për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve.
Zoti Pence i ka mbrojtur vazhdimisht veprimet e tij atë ditë, edhe pse vendimi i tij për t’iu kundërvënë shefit të tij ktheu kundër tij një pjesë të madhe të bazës besnike të Trumpit. Sondazhet tregojnë se Trumpi mbetet, deri tani, zgjedhja kryesore e votuesve partisë republikane me zotin Pence shumë prapa tij.
Ky kontrast u shfaq të martën teksa Trumpi foli përpara një audience prej qindra mbështetësish brohoritës të mbledhur për takimin dy ditor të Institutit Politik Amerika e Para (AFIP). I përbërë nga ish-zyrtarë dhe aleatë të administratës Trump, grupi shihet gjerësisht si një “administratë në pritje” që mund të lëvizë shpejt në Shtëpinë e Bardhë nëse Trumpi do të kandidojë përsëri dhe do të fitojë.
Ndërkohë, zoti Pence mori një mikëpritje miqësore – por jo entuziaste – nga studentët, të cilët u përpoqën të brohorisnin “SHBA!”.
Në fjalimin e tij, ai vazhdimisht reklamoi “administratën Trump-Pence.” Por pyetja e parë që mori gjatë një sesioni të shkurtër pyetje-përgjigjesh ishte në lidhje me ndarjen e tij në rritje nga zoti Trump, që është veçanërisht e prerë duke pasur parasysh vitet që ai kaloi si ish ndihmësi më besnik i presidentit.
Mike Pence mohoi që të dy “ndryshojnë për çështjet“, por pranoi se “ne mund të ndryshojmë në fokus”.
“Unë me të vërtetë besoj se zgjedhjet kanë të bëjnë me të ardhmen dhe se janë absolutisht thelbësore, në një kohë kur kaq shumë amerikanë po vuajnë dhe kaq shumë familje po luftojnë, ndërsa ne hedhim vështrimin për të parë nga e shkuara,” tha ai.
Gjithashtu të martën, shtëpia botuese Simon & Schuster njoftoi titullin e librit të ardhshëm të zotit Pence, “So Help Me God”, i cili do të botohet në nëntor. Shtçpia botuese tha se libri, do të përshkruajë pjesërisht “ndërprerjen e marrëdhënies së tij nga Presidenti Trump më 6 janar 2021, kur zoti Pence mbajti betimin e bërë ndaj Kushtetutës.”
Donald Trumpi ka shpenzuar shumë kohë që nga largimi nga detyra duke përhapur gënjeshtra për humbjen e tij në zgjedhje për të mbjellë dyshime për fitoren e zotit Biden. Në të vërtetë, edhe pse komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve të 6 janarit ka nxjerrë në pah përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet dhe refuzimin e tij për të ndalur një turmë të dhunshme të mbështetësve të tij ndërsa ata përpiqeshin të ndalonin tranzicionin paqësor të pushtetit, Trumpi ka vazhduar të përpiqet t’u bëjë presion zyrtarët për të përmbysur fitoren e Joe Bidenit, pavarësisht se nuk ka mjete ligjore për ta vërtetuar këtë./VOA