fituesit dhe humbesit e draftit te marreveshjes shba iran 6a34472695f07

Fituesit dhe humbësit e draftit të marrëveshjes SHBA-Iran

June 18, 2026
min lexim

Lufta nisi nga një ide e thjeshtë: Netanyahu e bindi Trumpin se mjaftonte një goditje e fortë për të ndryshuar regjimin në Teheran ose, të paktën, për ta dobësuar atë. Por rezultati ishte një teokraci më e militarizuar, më e bashkuar dhe sot edhe më e financuar.



Duke lexuar memorandumin, duket sikur kanë qenë Shtetet e Bashkuara ato që janë detyruar t’i përshtaten realitetit që donin të shmangnin.

Për ta sjellë Teheranin në tryezën e negociatave për programin bërthamor dhe për t’i dhënë fund një lufte që Trump nuk dëshiron më ta vazhdojë, Uashingtoni ka pranuar lëshime që afrohen me pritshmëritë më të mira të Iranit. Eksperti i njohur për Iranin, Denny Citrinowicz, shprehet: “Trump nuk ka alternativa”.

U plotësua kërkesa e Teheranit: armëpushimi shtrihet edhe në Liban

Që në nenin e parë të marrëveshjes duket qartë se kush ka ndikuar më shumë në përmbajtjen e saj. Përfundimi i luftimeve është objektiv i përbashkët, por përfshirja e Libanit ishte një kërkesë iraniane, e cila është pranuar me shkrim.

Nuk flitet vetëm për ndërprerjen “e menjëhershme dhe të përhershme” të luftës mes SHBA-së dhe Republikës Islamike, por armëpushimi shtrihet “në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”, me angazhimin që të mos nisë më “asnjë luftë apo operacion ushtarak” në të ardhmen dhe me garancinë për “integritetin territorial dhe sovranitetin” e vendit të cedrave.

Për Uashingtonin, ky është kapitulli i armëpushimit. Për Teheranin, është mbi të gjitha njohja e Libanit si shtyllë politike e marrëveshjes. Përfshirja e tij në paragrafin e parë ishte një kusht thelbësor i regjimit iranian.

Për sa kohë që vazhdojnë bombardimet në Dahieh dhe në jug të Libanit, në sytë e mullahëve memorandumi konsiderohet tashmë i shkelur. Nuk është rastësi që teksti parashikon që edhe “marrëveshja përfundimtare” duhet të konfirmojë fundin e përhershëm të luftës “në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”. Kjo është fraza që synon të vendosë Hezbollahun nën mbrojtjen e armëpushimit dhe t’ua transferojë SHBA-ve përgjegjësinë për të frenuar Izraelin.

Marrëveshja përfundimtare brenda 60 ditëve: Trump kërkon ta mbyllë sa më shpejt

Pika e tretë e memorandumit, në dukje neutrale, parashikon që palët të negociojnë dhe të përfundojnë marrëveshjen përfundimtare brenda një afati maksimal prej 60 ditësh, që mund të zgjatet vetëm me pëlqimin e të dyja palëve.

Megjithatë, nëse gjërat ecin sipas planeve të Shtëpisë së Bardhë, kjo do t’i lejonte Trumpit të pretendonte një sukses të madh politik: arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Iranin për vetëm dy muaj, ndërsa presidentit amerikan Barack Obama iu deshën pothuajse dy vjet, nga 2013 deri në 2015, për të finalizuar marrëveshjen JCPOA, të cilën Trump e anuloi në vitin 2018 dhe vazhdon ta kritikojë.

Megjithatë, shumë ekspertë mbeten skeptikë. Zgjidhja brenda një kohe kaq të shkurtër e një konflikti që ka mbajtur peng Lindjen e Mesme për më shumë se 20 vjet, përcaktimi i kufijve për pasurimin e uraniumit, rregullat e inspektimeve dhe kalendari i heqjes së sanksioneve, duket më shumë si një garë kundër kohës e përshtatshme për propagandë sesa për diplomaci.

Rihapja e Hormuzit i intereson të gjithëve, por kontrolli mbetet në duart e Iranit

Në paragrafët 4 dhe 5, që trajtojnë ngushticën e Hormuzit, në pamje të parë përfitojnë të gjithë. Shtetet e Bashkuara sigurojnë heqjen e bllokadës detare, rikthimin e trafikut në nivelet para konfliktit dhe, pas marrëveshjes përfundimtare, tërheqjen e forcave të tyre nga afërsia e Iranit. Teherani, nga ana tjetër, pranon të rihapë ngushticën, të garantojë për 60 ditë kalimin e sigurt dhe të lirë të anijeve tregtare pa tarifa dhe të përfundojë çminimin brenda një muaji.

Por pika më e rëndësishme është një tjetër. Teksti parashikon që “Republika Islamike e Iranit do të nisë dialog me Sultanatin e Omanit dhe shtetet e tjera bregdetare të Gjirit Persik për të përcaktuar menaxhimin e ardhshëm dhe shërbimet detare në Ngushticën e Hormuzit”.

Kjo do të thotë se sot Irani e hap ngushticën pa kërkuar asgjë, por nesër do të diskutojë kush do t’i kontrollojë këto shërbime dhe si do të paguhen ato. Nuk parashikohen tarifa të shkruara qartë, por vendoset parimi që për Hormuzin do të diskutohet me Teheranin në krye të tryezës.

Çeku amerikan për rindërtimin: 300 miliardë dollarë, licenca dhe lehtësira

Në kapitullin për rindërtimin, teksti nuk lë vend për paqartësi: lufta me Iranin nuk përfundon vetëm me armëpushim, por edhe me një paketë gjigante financiare. Shtetet e Bashkuara angazhohen, në koordinim me partnerët rajonalë, të vënë në dispozicion të paktën 300 miliardë dollarë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.

Kjo është pikërisht ajo që përfaqësuesit e Republikës Islamike kanë kërkuar prej javësh: para reale për të rindërtuar infrastrukturën, qytetet dhe ekonominë. Përveç fondeve, Uashingtoni premton edhe licenca, përjashtime dhe autorizime për t’i bërë këto para të qarkullojnë.

Për Teheranin, ky kapitull mund të paraqitet si prova se kundërshtari ka pranuar një lloj detyrimi për dëmet e luftës. Për amerikanët, është një mënyrë për të bindur Iranin të ulet në tryezën e negociatave për çështjen bërthamore.

Heqja e ardhshme e të gjitha sanksioneve: fitorja më e madhe e ajatollahëve

Kapitulli mbi sanksionet prek pikën më të rëndësishme për regjimin iranian: jo vetëm fundin e luftës, por edhe fundin e izolimit ekonomik. Prej më shumë se 15 vitesh, Irani jeton nën një regjim të ashpër sanksionesh që ka dobësuar monedhën kombëtare, ka nxitur inflacionin dhe ka vështirësuar importet e teknologjisë dhe madje edhe të disa ilaçeve.

Teksti parashikon që SHBA-ja të heqë të gjitha sanksionet ndaj Iranit, përfshirë ato të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe të gjitha sanksionet amerikane, primare dhe sekondare. Për Teheranin, kjo përfaqëson daljen nga izolimi si shtyllë e rendit të ri politik, jo thjesht si një lëshim diplomatik.

Nafta dhe sanksionet: regjimi siguron një rrugëdalje nga kriza

Në kapitullin për përjashtimet e naftës, gjuha është teknike, por mesazhi i qartë: eksportet iraniane të naftës duhet të rifillojnë menjëherë. Dokumenti parashikon që menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit, Departamenti Amerikan i Thesarit të lëshojë autorizime për eksportin e naftës bruto iraniane, produkteve të naftës dhe shërbimeve të lidhura me to, përfshirë bankat, sigurimet dhe transportin.

Për Teheranin, kjo është rruga më e shpejtë për të siguruar valutë të huaj. Irani zotëron mbi 200 miliardë fuçi rezerva të provuara nafte, rreth 11% të rezervave botërore. Për SHBA-në dhe vendet e Gjirit, kjo do të thotë rikthim i një prodhuesi të madh në treg dhe ulje e presionit mbi çmimet e energjisë.

Fundi i bllokadës financiare: Irani rikuperon fondet e ngrira

Kapitulli 11 realizon një tjetër objektiv historik të Republikës Islamike: rikthimin e fondeve të ngrira jashtë vendit. Teksti parashikon që SHBA-ja të bëjë plotësisht të disponueshme të gjitha fondet dhe asetet iraniane që deri tani kanë qenë të bllokuara ose të kufizuara.

Për Teheranin, kjo do të thotë kthimi në përdorim i miliarda dollarëve që prej vitesh ekzistonin vetëm si shifra në mosmarrëveshjet ndërkombëtare, duke krijuar mundësi të mëdha për buxhetin publik, importet dhe mbështetjen e strukturave të brendshme të regjimit.

Marrëveshja parashikon që palët të përcaktojnë së bashku procedurat për zhbllokimin dhe përdorimin e këtyre fondeve. Pika kyçe është se këto para mund të përdoren për çdo përfitues të përcaktuar nga Banka Qendrore e Republikës Islamike të Iranit, ndërsa SHBA-ja angazhohet të lëshojë të gjitha autorizimet dhe licencat e nevojshme. Megjithatë, shumë qytetarë iranianë kanë frikë se nuk do të përfitojnë asgjë nga këto fonde./Corriere della Sera

Burimi: opinion.al

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

opozita kerkon rikthimin e emrave te rrugeve ne tetove komuna do ti rikthejme 6a34352de1681
Lajmi i mëparshëm

Opozita kërkon rikthimin e emrave të rrugëve në Tetovë, Komuna: Do t’i rikthejmë

thirrje per drejtesi dhe respekt ndaj viktimave te luftes 6a344be653b2c
Lajmi i radhës

Thirrje për drejtësi dhe respekt ndaj viktimave të luftës

Të fundit nga

ShkoLartë