Finlandë: Në zgjedhjet krahinore shkuan vetëm 47,5 për qind e votuesve 🇫🇮‼️

January 24, 2022
min lexim

VETËM 47,5 %  VOTUAN PËR KRAHINAT 

– 10.000 kandidatë në garë për 1.379 vende –

– Parakohe votuan 26,1% e zgjedhësve –

HELSINKI, 24.1.2022 (Lili Verdha) – Sot në gjithë Finlandën  u zhvilluan zgjedhjet krahinore për të quajturat “Zona të Mirëqënies” shëndetësore e kulturore.

Pas numërimit të 99,9 % të votave (deri n’orën 01:30 lokale ), fituese me 21,6 % ose 289 vende ka dalë Partia djathtiste opozitare e Bashkimit Kombëtar – Kokoomus (anëtare e EPP-s europiane). E dyta doli Partia Socialdemokrate në pushtet me 19,3 % ose 276 vende, ndërsa e treta me 19,2 % ose 297 vende Partia borgjeze e Qendrës – Keskusta, pjestare e koalicionit qeveritar prej 5 partishë. Rënien më të madhe në këto zgjedhje e pësoi Partia opozitare ekstremiste e djathtë “Finët e Vërtetë” – Perussuomalaiset, me vetëm 11,1 % të votave ose me vetëm 156 vende në mini-Parlamentet e reja krahinore. Përqindje dhe vende më të pakta morën 3 partitë e tjera të Koalicionit Qeveritar si edhe ato më të voglat e Opozitës.

Nga 1.379 këshilltarët e mini-Parlamenteve Krahinore, vetëm 313 janë krejtësisht pa funksione të dyta përfaqësuese, ndërkohë që 7 vetë janë edhe deputetë në Parlament, 101 janë si Parlamentarë ashtu edhe këshilltarë nëpër Komuna, ndërsa 958 janë antarë të Këshillave Komunale. Në  këto Zgjedhje 53 % të votave i fituan kandidatet gra, ndërsa burrat morën 47 % të vendeve.

Të 1.379 përfaqësuesit e zgjedhur sot do të fillojnë punën pas një viti – në Janar 2023, por Mbledhja e parë e mini-Parlamenteve do të jetë pas 5 javësh, me 1 Mars. Gjatë kësaj Pranvere (2022) ato do të mblidhen 2 herë në muaj për t’u njohur me detyrat dhe punët që i presin, ndërsa, në vazhdim, Mbledhjet e rregullta do të jenë vetëm një herë në muaj. Kjo, për faktin se në Krahinë do të vazhdojnë të veprojnë “Kuvendet e Komunave” përbërëse të tyre, me traditën e diskutimit të problemeve të përditëshme lokale. Aktualisht, në Finlandë veprojnë mbi 300 “Kuvende Komunale”.

Zgjedhjet krahinore, të parat në historinë e Finlandës , u zhvilluan në 21 krahina, që, sipas analistëve, në të ardhmen ka të ngjarë të reduktohen në një numër më të vogël, duke ndjekur modelin e Landeve Gjermane  apo atë të Rajoneve Franceze . Specialistët  e Grupeve të Punës për finalizimin e këtij Projekti të stërzgjatur Administrativ janë shprehur se, pavarësisht propozimeve të tyre për 10-14 Krahina, përcaktimi i ndarjes administrative në 21 “Krahina Mirëqënieje” ishte një kompromis politik. Të përjashtuara nga këto Zgjedhje, historikisht të parat në vend, ishin Helsinki (me organizim administrativ metropolitan) dhe Krahina Autonome Ahvenanmaa  (me kalendarin e vet të zgjedhjeve).

Diskutimi për ndarjen administrative të vendit  në zona të mëdha social-kulturore ka filluar që më 2005-n dhe vetëm tani, pas shqyrtimit intensiv nga të 8 Qeveritë finlandeze të këtyre 17 viteve të fundit, u arrit më në fund të miratohet krijimi i 21 “Krahinave të Mirëqënies”, mini-Parlamentet e të cilave kanë të drejtë të vendosin për shërbimin shëndetësor dhe kujdesin social (me një buxhet të përgjithshëm kombëtar prej 20 miliardë eurosh në vit), për zhvillimin arsimor dhe kulturor, si edhe për zgjidhjen e problemeve të punësimit në nivel Krahine. Po kështu, nën urdhërin e Krahinave vendosen edhe Njësitë e Shpëtimit Zjarrfikës dhe Shëndetësor (autombulancat e Urgjencës).–

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ngjarjet për ditën e nesërme

Story i radhës

I vetmuar pa Trixën, Donaldi kërkon të largohet nga shtëpia e “Big Brother”

Të fundit nga

ShkoLartë