Lufta që nisi në Ukrainë ditë më parë bllokoi gjithçka në këtë vend. Por, këtë vend nuk po e harrojnë shtetet e ndryshme të Evropës, të cilat tashmë kanë nisur ta mbështesin dhe ta ndihmojnë në mënyrë të ndryshme.
Edhe në futboll, ka nisur të ketë lëvizje. Në fakt, klubi i ligës së dytë rumune, Petrolulit ka vendosur ta ndihmojë Dinamo Kievin. Rumunët i kanë dërguar letër zyrtare klubit ukrainas, të cilit i kanë premtuar ndihmë të menjëhershme në sektorin e të rinjve të klubit.
Klubi rumun e ka publikuar vendimin e tij edhe përmes faqes së vetë zyrtare, të drejtuar presidentit të Dinamo Kievit, Ihor Surkis.
“Të dashur miq, në këtë kohë të vështirë për popullin e guximshëm ukrainas, sportistët dhe fëmijët nuk duhet të bëhen “viktima kolaterale” të një lufte të pakuptimtë. Nisur nga momentet e vështira që po kaloni, Fotolul Club Petrolul Ploiesti ju ofron shërbime transporti, akomodimi, ushqimi dhe mundësi trajnimi për dy grupe të rinjsh për një periudhë të pacaktuar. Çdo fëmijë mund të shoqërohet nga familjarët”, ka shkruar klubi rumun.
Më saktësisht, Petrolul ka propozuar që t’i strehojë dy ekipe të të rinjve në Poiesti, në rajonin Muntenia, në veri të Bukureshtit.
Klubi në fjalë zotohet se do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet në mënyrë që lojtarët dhe familjet e tyre të mund të jetojnë në Rumani pa asnjë kufizim kohor.
“Ju lutemi ta pranoni këtë propozim si një gjest solidariteti nga klubi ynë me ju, miqtë tanë në Kiev. Nëse e pranoni ftesën tonë, ju lutemi na kontaktoni. Sporti është dhe duhet të mbetet ambasador i paqes edhe në këto ditë lufte. Me vlerësim të thellë, presidenti Costel Lazar”, shton klubi rumun.
Petrolul do ta hapë gjithashtu një pikë grumbullimi ndihmash për Ukrainën në stadiumin “Ilie Oana” nga dita e sotme.