Filipçe, kryetar i ri i LSDM-së – Mickoski: Uroj punë të mbarë dhe të jenë opozitë konstruktive

July 1, 2024
min lexim

Venko Filipçe i cili po vjen në krye të LSDM-së do të ketë detyrë shumë të vështirë, jo vetëm që do të ballafaqohet me dyshimet e anëtarëve për zgjedhjen e tij që kaloi me përkrahje të drejtpërdrejtë nga ish kryetari Zoran Zaev por edhe me atë se ai vetëm i ka zbatuar urdhrat e tij. Pozita e këtillë do të paraqet peshë shtesë në përpjekjet që t’i konsolidojë anëtarët që janë të përçarë. Filipçe në fjalimin e tij dje pas procesit zgjedhor tha se qëllimi i tij është që t’i përforcojë parimet e bashkimit, miqësisë, respektit të ndërsjellë mes anëtarëve të partisë.

“Si kryetar premtoj se nuk do të ndaj por do të bashkoj, premtoj se do të jem shembull për të gjithë në parti. Premtoj se fuqishëm do t’i kundërshtoj ata që duan ta dobësojnë partinë për interesa personale. Premtoj se do ta mbroj dhe dëgjoj çdo anëtar dhe secilit do t’i jap të drejtën për të folur. Premtoj se LSDM do të jetë parti e qëndrueshme, e hapur dhe moderne, e gatshme për sfidat që vijojnë”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Jovan Despotovski dhe Aleksandar Bajdevski akuzuan se një numër i madh anëtarësh të LSDM-së u penguan që të votojnë. Despotovski paralajmëroi se do të dorëzojë ankesa.

“Pse ata 10,000 ose 11,000 njerëz ndoshta nuk u lejuan të votonin ose të paraqiteshin fare për të votuar, por ata u regjistruan dhe treguan iniciativë në 20 ditët e fundit për ta bërë këtë. Dhe pyetja e dytë është çfarë ndodhi me ata njerëz që i kthyem nga votimi? Anëtarë të LSDM-së të cilët janë paraqitur në vendvotime dhe nuk kanë mundur të votojnë. Nuk janë pak”, deklaroi Jovan Despotovski, LSDM.

“Duhej të mbyllen edhe disa dilema rreth disa çështjeve që ndodhën në lidhje me zgjedhjet, në lidhje me listat e anëtarësisë sonë dhe vlerësoj gjithashtu se ndoshta kjo ka kontribuuar për dalshmëri të ulët në këto zgjedhje”, u shpreh Aleksandar Bajdevski, LSDM.

Sllavjanka Petrovska e cila doli nga gara për kryetare një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, ku e tërhoqi kandidaturën përmes kumtesës vlerësoi se zgjedhjet kanë qenë në kundërshtim me parimet e socialdemokracisë dhe se kryetari i ri është zgjedhur vetëm me 11% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve. Ajo në Facebook komentoi shkurt.

“Luftuam kundër shtetit të robëruar, fituam parti të robëruar”, deklaroi Sllavjanka Petrovska, LSDM.

VMRO-DPMNE-ja e vlerësoi zgjedhjen e Filipçes si – Edhe pas Zaevit – Zaevi. Megjithatë kryetari i partisë dhe kryeministri Mickoski, ishte i përmbajtur, shtoi se këto janë çështje të brendshme dhe i dëshiroi punë të mbarë.

“Z. Filipçe i dëshiroj punë të suksesshme, të jenë opozitë konstruktive, të punojnë në interes të qytetarëve dhe atdheut. Unë edhe në ekspozen time në paralament thashë se çdoherë kur bëhet fjalë për interesin e Maqedonisë dhe qytetarëve të Maqedonisë e shtrij dorën. Ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Anëtarësia e LSDM-së ka vendosur ashtu, neve nuk na mbetet tjetër përveç se ta respektojmë atë vendim për shkak se nuk kemi të drejtë dhe nuk duam që të përzihemi në punët e brendshme të partive tjera politike”, tha Mickoski.

Filipçe në zgjedhjet për kryetar të partisë fitoi 9 000 vota nga gjithësej 12 600 votues. Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ishte 23 000 anëtarë të LSDM-së.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Geer nuk sheh mundësi për ndryshimin e kornizës, Murtezani: Do të ketë ndryshime Kushtetuese, fillojmë bisedimet

Story i radhës

Sezoni turistik, nis patrullimi i përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë

Të fundit nga

ShkoLartë