Fidan: Türkiye synon t’i forcojë tutje marrëdhëniet me Korenë e Jugut

July 29, 2023
min lexim

Ankaraja dëshiron të forcojë tutje marrëdhëniet me Korenë e Jugut, ndërsa dy vendet gëzojnë partneritete strategjike, tha sot ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, raporton Anadolu.

“Do të doja të theksoja vullnetin tonë për të çuar tutje marrëdhëniet tona në bazë të partneritetit tonë strategjik”, tha Fidan në një konferencë shtypi me homologun e tij nga Koreja e Jugut Park Jin në kryeqytetin turk Ankara.

Konferenca për shtyp erdhi pasi ministrat zhvilluan bisedime mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale rajonale dhe globale, duke nënshkruar një marrëveshje udhërrëfyese për një “partneritet dinamik Türkiye-Kore”.

“Udhërrëfyesi që nënshkruam sot është një shenjë e vullnetit tonë të përbashkët në këtë drejtim. Ky udhërrëfyes, i cili është punuar me përpikëri për rreth një vit e gjysmë, nxjerr kornizën institucionale të marrëdhënieve tona”, tha Fidan, duke shtuar se në bazë të dokumentit, dy vendet do të ndërmarrin hapa në çdo fushë mes tyre.

Marrëdhëniet politike midis Türkiyes dhe Koresë së Jugut u vendosën në vitin 1949 dhe marrëdhëniet dypalëshe u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik në vitin 2012.

Ankaraja e sheh Seulin si një partner të rëndësishëm në nismën e saj “Azia sërish”, tha Fidan, duke theksuar se Koreja e Jugut është partneri i dytë më i madh tregtar i Türkiyes në rajonin e Azi-Paqësorit.

Bazuar në pozicionin e saj unik gjeografik dhe lidhjet e rrënjosura thellë historike dhe kulturore me Azinë, Türkiye shpalli nismën “Azia sërish” në vitin 2019, për të sjellë një vizion të ri në politikat e saj ndaj kontinentit nga një perspektivë gjithëpërfshirëse.

Duke vënë në dukje se vëllimi i tregtisë dypalëshe të Türkiyes me Korenë e Jugut u rrit në 10 miliardë dollarë vitin e kaluar, Fidan tha: “Qëllimi ynë është të arrijmë 15 miliardë dollarë në bazë të një marrëdhënieje të ekuilibruar tregtare”.

Ai nënvizoi se Türkiye dhe Koreja e Jugut mund të përmirësojnë lidhjet në industrinë e mbrojtjes, energji, transport dhe turizëm.

Duke përmendur thellësinë e marrëdhënieve të Türkiyes me Korenë e Jugut, Fidan tha: “Nuk është shumë e zakonshme që një ministër i jashtëm në botë të përkujtojë dëshmorët e vendit pritës gjatë vizitës së tij jashtë vendit dhe t’u shprehë mirënjohje”.

Türkiye ishte kontribues i madh për trupat nën komandën e OKB-së gjatë Luftës Koreane të viteve 1950-1953, ndërkohë që të enjten ishte 70-vjetori i armëpushimit që i dha fund luftimeve.

Sot herët, Park vizitoi Memorialin e Dëshmorëve Koreanë në Ankara si pjesë e vizitës së tij.

– “Koreja e Jugut nuk e harron sakrificën e madhe të Türkiyes”

Nga ana tjetër, Park tha se Koreja e Jugut nuk e ka harruar “sakrificën e madhe” që bëri Türkiye kur ushtarët e tyre luftuan krah për krah gjatë konfliktit.

“Gjatë kësaj vizite, unë nënshkrova një udhërrëfyes me Fidanin, i cili rregullon sistematikisht zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe zhvillon marrëdhëniet Kore-Türkiye”, tha Park, duke shtuar se me udhërrëfyesin, dy vendet do të rrisin më tej kontaktet midis njerëzve, dhe veçanërisht të rinjve, në fusha të tilla si arsimi dhe sporti.

Në lidhje me lëshimet e fundit të raketave balistike nga Koreja e Veriut, Park i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të “bashkohet dhe të përgjigjet me vendosmëri në një kohë kur Koreja e Veriut kërcënon vazhdimisht paqen e Gadishullit Korean dhe të botës”.

“U diskutua se si të rritet ndërgjegjësimi i komunitetit ndërkombëtar për situatën e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut dhe si të bashkëpunohet mes dy vendeve për përmirësimin e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut”, shtoi ai.

Kryediplomati i Koresë së Jugut tha se ai dhe Fidan diskutuan gjithashtu situatën në Ukrainë.

Park e përgatiti fillimin e fjalimit të tij në konferencën për shtyp në gjuhën turke, pavarësisht se nuk e flet gjuhën, duke iu rikthyer më vonë fjalimit të tij në gjuhën koreane.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Grupi paraushtarak rus “Wagner” synon të rrisë numrin e ushtarëve në Afrikë

Story i radhës

Zgjedhjet për kreun e PD, Sefa: Deri në orën 14:00 kanë votuar 11602 anëtarë

Të fundit nga

Elon Musk bëri thirrje për bojkot të Wikipedias

Miliarderi kontrovers, Elon Musk, edhe një herë ka vënë në shënjestër Wikipedian, për shkak të redaktorëve “me prirje të majtë”. Elon Musk njoftoi në platformën X se përdoruesit duhet të ndalojnë së
ShkoLartë