Profesori universitar, Arben Fetoshi, ka thënë se mungesa e përgjigjes nga KFOR-i ndaj kërkesës së Serbisë, për dërgimin e 1 mijë forcave ushtarake në Kosovë, po i trimëron bandat serbe në veri të Kosovës.
Fetoshi, përmes një postimi në Facebook, ka pyetur nëse vonesa është skenar para bisedimeve finale, apo qasje e re politike për ta “ridefinuar” Kosovën.
Sipas tij, shqyrtimi i kërkesës serbe nga KFOR-i është një shkëndijë për konflik të ri, që po e kërkon Vladimir Putini, përcjell Bota sot.
Reagimi i plotë i Fetoshit:
A po i trimëron bandat serbe në veri mungesa e përgjigjes së KFOR-it ndaj kërkesës së Vuçiq-it?
Kanë kaluar dy javë prej kur Aleksandër Vuçiq ka kërkuar kthimin e trupave serbe në Kosovë duke u “bazuar” në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, ndërsa KFOR-i ende nuk ia ka kthyer përgjigjen.
Pse kjo vonesë e KFOR-it, e cila me sa duket është interpretuar si “shqyrtim” dhe i ka trimëruar bandat kriminale në atë pjesë.
A është vonesa “skenar” para bisedimeve finale, apo një qasje e re politike për ta “ridefinuar” Kosovën?
Sa për dijeni, Rezoluta 1244 nuk flet për ushtarët serbë, ndërsa shqyrtimi i kërkesës mbi këtë bazë jo vetëm që do të ishte atak ndaj SHBA-ve e shteteve të tjera që e kanë njohur Republikën e Kosovës, por edhe shkëndijë e një konflikti të ri në interes të Putinit.