Dita e parë e festivalit ndërkombëtar në Bodrum të Turqisë solli një atmosferë të papërjetuar më parë, duke magjepsur valltarët dhe gjithë qytetin me ngjyrat dhe ritmet e kulturës shqiptare. Rrugët historike të këtij qyteti bregdetar u gjallëruan nga defileja e ansambleve pjesëmarrëse, ku plisi dhe veshjet kombëtare shqiptare u pritën me entuziazëm dhe admiracion nga qytetarët vendas dhe turistët.
Festivali, i cili zhvillohet në prag të Ditës së Verës, u hap me një rit tradicional të prezantuar nga ansambli vendas, që simbolizonte ardhjen e verës dhe largimin e dimrit — një moment që përcolli emocione të veçanta te të pranishmit.
Ansambli shqiptar “Ibe Palikuqi” u prezantua me vallen artistike “Mozaiku”, një interpretim që u shoqërua me duartrokitje të zjarrta nga publiku i shumtë. Performanca e tyre, si gjithmonë, la mbresa të thella jo vetëm te qytetarët, por edhe te muzikologët dhe të ftuarit ndërkombëtarë të festivalit.
Me krenari dhe dinjitet, ansambli “Ibe Palikuqi” vazhdon të përçojë vlerat e traditës shqiptare në skenat ndërkombëtare, duke u dëshmuar si një “Shkollë e Kulturës Shqiptare”.