Policia e Kosovës bënë të ditur se festimet për Vitin e Ri në vendin tonë kanë kaluar kryesisht të qeta dhe pa incidente fatale.
“Policia e Kosovës për të menaxhuar me situatën e sigurisë gjatë periudhës së festave të fund vitit dhe për Vitin e Ri, ka hartuar dhe zbatuar një urdhër operativ për shtimin e masave të sigurisë dhe prezencës policore në lokacione apo ambiente ku pritej të ketë përqendrim apo prezencë më të madhe të qytetarëve gjatë festimeve”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, në fokus të këtij urdhri operativ, përveç ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ka qenë mbikëqyrja dhe kontrolli në trafikun rrugor, menaxhimi i pikave kufitare përfshirë aeroportin ndërkombëtar.
“Bazuar në raportimet e pranuara nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e vitit të ri, ndërrimi i mot moteve, ka kaluar kryesisht i qetë i përcjellë me disa raste të ndryshme, por fatmirësisht nuk është raportuar ndonjë rast me pasoja fatale, megjithëse në disa rajone janë raportuar disa incidente me lëndime trupore, dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike”, njofton policia.
Më tej thuhet se “Mund të veçohet disa raste ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ zjarr vënie, lëndim trupor, armëmbajtje pa leje etj, të cilat në konsultim me prokurorin policia ka iniciuar raste për trajtim dhe kompetencë të mëtejme ligjore”.
Në fund, policia ka apeluar te qytetarët për respektim të ligjit dhe respektim të rregullave të trafikut rrugor.
Shefi i Emergjencës, Agron Çitaku ka bërë ditur mbrëm se mbi 20 raste janë trajtuar në Klinikën Emergjente si shkak i lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike.
Burimi: botasot.info