Në Vushtrri kishte festë hendbolli të shtunën mbrëma.
Skuadra me traditë nga ky qytet, KH Vushtrria, është kthyer në Superligë, pas një viti në Ligën e Parë.
Në kuadër të xhiros së fundit (18) të Ligës së Parë, Vushtrria e mposhti Prizrenin me rezultat 39:23.
Vushtrriasit i kanë fituar të gjitha 15 ndeshjet e këtij kampionati dhe kanë siguruar titullin e kampionit në këtë nivel garash. Njëherit kanë siguruar kthimin në elitën e hendbollit kosovar për edicionin e ardhshëm.
Aspiratat e vushtrriasve janë për stabilizim në Superligë dhe për të dalë sërish në gara evropiane.
Kryesia e klubit është plotësuar, ndërsa është angazhuar edhe trajneri me përvojë nga Maqedonia e Veriut, Andon Boshkovski.