Për herë të parë, Komuna e Vushtrrisë ka marrë vendim që t’i subvencionojë fermerët që merren me përpunimin e qumështit. E pikërisht gjatë së mërkurës, kreu i kësaj komune, Ferit Idrizi, ka vizituar disa fermerë, me c’rast pa nga afër punën e tyre.
Fermerët falënderuan Idrizin për këtë vendim, teksa premtuan shtim të kapaciteteve prodhuese e përpunuese.
I pari i Vushtrrisë, Ferit Idriz, tha se vitet e ardhshme shuma prej 0.5 cent për litër, synohet që të rritet. Me këtë rast, ai kërkoi që fermerët të vazhdojnë me të njëjtin ritëm.
“Për herë të parë Komuna e Vushtrrisë, ka marrë vendim që t’i subvencionojë fermerët e qumështit me 0.5 cent për litër, një shumë simbolike por me tendencë që vitet e ardhshme kjo shumë të rritet. Kjo po bëhet që sa më shumë fermerët të merren me përpunimin e qumështit”
Nazmi Smajli fermer në Komunën e Vushtrrisë, e falënderoi kryetarin Idrizi për përkrahjen. Ai tha se është komuna e vetme që përkrah fermerët me këtë çmim.
“I kam 25 krerë lopë qumështore dhe kapacitetet prodhuese shkojnë nga 80 mijë deri në 100 mijë litra në vit. Është hera e parë që po bëhet kjo”, u shpreh ky fermer.