Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur sot mbledhjen e tij ku edhe ka marrë një vendim të rëndësishëm nga i cili ka përfituar skuadra e Ferizajt.
Komisioni i Garave i FFK-së ka miratuar sot ankesën e Arbërisë lidhur me parregullsinë e paraqitur në ndeshjen kundër Vushtrrisë.
Vendimi i Komisionit të Garave të FFK-së dhe arsyetimi i saj vijon si më poshtë.
“Miratohet si e bazuar ankesa e klubit të futbollit “Arbëria” nga Dobraja dhe ndeshja e javës së 24-t e VIVA FRESH – Liga e Parë – Grupi B, në mes K.F. “Vushtria“ dhe K.F. Arbëria e përfunduar me rezultat 5:0 për K.F. Vushtrria, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të K.F. Arbëria nga Dobraja”.
“Sipas protokollit zyrtar lojtari me nr.14, i shënuar në protokol ka qenë Eugen Rafuna -001692M94 i shënuar edhe te rubrika e lojtarëve startues edhe te lojtarët reserve, por i cili nuk është aktivizuar në lojë, por, në lojë është aktivizuar lojtari me nr.16. Etrit Halimi I.D. -000890M94, i cili nuk ka qenë i shënuar – regjistruar në protokollin zyrtar të ndeshjes dhe ky veprim i K.F.- “Vushtria” ka qenë i palejuar dhe i kundërligjshëm.
Komisioni i Garave, konform Nenit 77, Pargrafi 2, Pika 8 të Rregullores së Garave e miraton ankesën e K.F. “Arbëria “ si të bazuar dhe ndeshjen e javës së 24-t të VIVA FRESH – Liga e Parë – Grupi B, në mes K. F. “Vushtria“ – K.F. Arbëria e regjistron me rezultat zyrtar, 3:0 në favor të K.F. Arbëria, nga Dobraja”.
Ndërkaq, nga ky vendim i marrë në favor të Arbërisë tani ka përfituar skuadra e Ferizajt, pasi që Vushtrrisë i janë larguar tre pikët e fituara takimin kundër Arbërisë.
Me këtë rast skuadra e Ferizajt e ka siguruar tashmë plasmanin në Superligë kur kanë mbetur edhe tre xhiro para fundit të kampionatit në Ligën e Parë, në Grupin B.
Skuadra e Ferizajt siguron hyrjen në Superligën e Kosovës pasi që renditet e para në Ligën e Parë – Grupi B, me gjithsej 55 pikë të arkëtuara, nëntë sosh më shumë se Vushtrria në vendin e dytë.