Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, në një brifing me gazetarë ka prezantuar gjendjen në të cilën e ka gjetur institucionin pas marrjes së detyrës, duke paralajmëruar reforma në funksionimin e ministrisë dhe një qasje të re në shpërndarjen e resurseve dhe granteve.
Ferati tha se ministria, e cila më herët është udhëhequr nga Artan Grubi dhe më pas nga Ivan Stoilkoviq, për vite me radhë ka pasur mungesë të orientimit strategjik, kushteve elementare për punë dhe kohezionit të brendshëm.
Sipas tij, nga 139 të punësuar në ministri, rreth 30 për qind nuk kanë pasur kushte adekuate për të kryer punën e tyre, për shkak të mungesës së pajisjeve bazë, përfshirë kompjuterë, tavolina dhe hapësira pune.
“Kemi gjetur një institucion ku burimet njerëzore nuk janë përdorur siç duhet, ndërsa disa individë të afërt me kabinetet politike kanë pasur rol më të madh se sa vetë struktura institucionale”, tha Ferati.
Ai theksoi se menjëherë pas marrjes së funksionit ka nisur procesi për përmirësimin e kohezionit brenda ministrisë, duke zhvilluar takime me udhëheqësit e sektorëve dhe ekspertë për të gjetur mënyra për funksionim më efikas.
Sipas Feratit, një prej problemeve kryesore është mungesa e dokumenteve strategjike.
“Që nga formimi i ministrisë kemi vetëm dy dokumente strategjike. Kjo tregon se institucioni nuk ka pasur një drejtim të qartë dhe orientim afatgjatë”, deklaroi ministri.
Ai paralajmëroi krijimin e dy departamenteve të reja – Departamentit për Partneritete Strategjike, i cili do të merret me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe fondet evropiane, si dhe Departamentit për Analiza dhe Hulumtime.
Ferati foli edhe për shpërndarjen e granteve, duke akuzuar se në periudhën e kaluar ka pasur pabarazi në ndarjen e mjeteve.
Sipas tij, nga 36 grantet e ndara, 29 kanë shkuar për komunitetin dhe shoqatat serbe, kryesisht për organizimin e aktiviteteve kulturore, ndërsa një grant ka pasur vlerë prej 500 mijë denarësh.
“Këto janë para të shtetit dhe për vitin e ardhshëm prioritet do të jetë një ndarje më e drejtë dhe më proporcionale e granteve”, tha Ferati.
Në pjesën e vizionit të tij, ministri kërkoi bashkëpunim më të madh me mediat, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e stabilitetit dhe kohezionit shoqëror.
Ai përmendi si shembull tensionet që krijohen gjatë ndeshjeve sportive, ku sipas tij, fyerjet në stadiume shpesh përhapen në rrjetet sociale dhe më pas reflektohen edhe në institucionet politike.
“Nuk mund t’i detyrojmë mediat se çfarë të publikojnë, por televizionet kanë rol shumë të rëndësishëm në porositë që i dërgojnë shoqërisë”, tha Ferati.
Ai vlerësoi se një nga arsyet që krijon pakënaqësi mes komuniteteve është edhe mënyra e shpërndarjes së investimeve dhe mbështetjes publike, duke sugjeruar se edhe në sport duhet të ketë një qasje më të balancuar.
“Nëse investimet kapitale janë ndarë proporcionalisht mes komunave, ndoshta një logjikë e tillë duhet të aplikohet edhe në fusha të tjera, përfshirë sportin, që të shmangen tensionet dhe ndarjet”, përfundoi ministri Ferati.
Burimi: lajmpress.org


