Enver Hoxha ishte djalë i një familjeje modeste gjirokastrite. Ai besohet se ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen Palorto, në familjen e Halil dhe Gjyle Hoxhës. Pavarësisht se 16 tetori ishte festa e ditëlindjes së tij, kërkimet dokumentare për të janë të rrëmujshme.
Në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, për Enver Hoxhën, janë shënuar 5 ditëlindje të ndryshme. Regjistri i bashkisë Gjirokastrës, nr. 6, fleta 75 shënimet për lagjen “Teqe-Meçite-Hazmurat”, shënon se Enver Hoxha, ka lindur më 12 maj 1908. Shënimi sqaron se prindërit e tij janë Halil (babai) dhe Gjylo (nëna)”. Në Liceun e Korçës, Hoxhës i janë shënuar dy ditëlindje: 17 qershor dhe 3 tetor (vitet 1929 e 1930). Në Francë, figuron me ditëlindje 3 tetor ndërsa gazeta Bashkimi 1946 vendoste si ditëlindje 3 shtatorin. 16 Tetori, ditëlindja që ai festonte vetë u bë publike në gazetën Bashkimi më 16 tetor 1947. Por këto të dhëna s’kanë luajtur ndonjë rol në biografinë e tij. Janë me gjasë produkt i kaosit që shoqëronte Shqipërinë në atë kohë.
Ai kishte një vëlla më të madh të quajtur Beqir, i cili vdiq në moshë të re nga tuberkulozi, dhe tre motra Fahrien, Haxhon dhe Sanijen.
Enver Hoxha e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në dy qytete të Shqipërisë, në Gjirokastër dhe në Korçë.
Gjirokastra luajti rol pothuajse modest në formimin e tij, ndërsa Korça është qyteti ku ai u formua vërtet. Transferimi i Hoxhës në Korçë ndodhi në mbarim të vitit të dytë liceal.
Në tetor 1930, Enver Hoxhës iu dha një bursë nga qeveria e Zogut për të studiuar biologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Montpeljesë, Francë.
Në korrik të vitit 1936, Enver Hoxha kthehet përfundimisht në Shqipëri. Për disa ai drejtoi Shqipërinë me nder për 40 vite, kurse për pjesën tjetër, Hoxha sundoi Shqipërinë gjatë kësaj periudhe. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Ai shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.
Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij. Pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985, vdes më 11 prill 1985.