Joao Félix kujtoi, këtë të enjte, largimin nga Benfica tek Atlético e Madridit në verën e vitit 2019, duke pranuar se ishte një vendim i vështirë.
“Ishte një vendim paksa i vështirë. Fillimisht preferoja të qëndroja, por më pas mendoj se bëra zgjedhjen e duhur, sepse duhej të zhvillohesha.
Lëvizja nga Benfica tek Atlético ishte e mirë për mua, për të më nxjerrë nga zona ime e rehatisë. Nuk pendohem, mendoj se ishte mirë”, – ka komentuar Felix në një intervistë për faqen e Chelsea-n.
Sulmuesi i ri ka folur edhe për kalimin nga Porto te Benfica kur ishte ende me skuadrat e moshave.
“Në fillim (te Porto) ishte shumë mirë, por në dy vitet e fundit kisha vështirësi të luaja.
Gjërat nuk shkuan mirë. Isha shumë i dobët, shumë i shkurtër, kjo ishte e vështirë për mua.
Kur isha 14 ose 15 vjeç, u thashë se doja të largohesha, doja të provoja një klub tjetër, doja të luaja në shtëpi.
Nuk më interesonte, doja vetëm të luaja dhe të isha i lumtur.
Dhe më pas lindi mundësia për të shkuar te Benfica dhe e pranova”, tha ai.
Kujtojmë që në janar Felix u largua nga Atletico te Chelsea në formë huazimi.