Situata në Grupin C të Kupës së Botës është mjaft e trazuar teksa kryeson Polonia me katër pikë dhe me nga tre pikë ndjek Argjentina me Arabinë Saudite, ndërsa në fund renditet Meksika. Sfidat e fundit në grup do të jenë përcaktuese, sidomos për Argjentinën dhe Poloninë që së bashku do të ndajnë kualifikimin, por edhe skuadrën që do të marrë vendin e parë.
Më të favorizuar janë polakët që kanë mundësinë e dy rezultateve për të siguruar kualifikimin ndërsa nga ana tjetër Messit me shokë i duhet trepikëshi për të mos mbetur të varur nga rezultati i ndeshjes Meksikë-Arabi Saudite.
Për këtë arsye, si një ndeshje tejet vendimtare, Federata Argjentinës po bën maksimumin që të ndihmojë skuadrën në fushë dhe së fundmi, drejtuesit e saj janë angazhuar që në Katar të udhëtojnë nga Argjentina edhe ata që konsiderohen huliganë, apo ultras të theksuar.
Federata amerikano-latine, e cila shpesh i ka luftuar të tilla grupime të përbërë nga persona me precedentë penalë tashmë po bashkëpunon me ta me synimin që në stadium të krijohet një atmosferë e zjarrtë për t’i dhënë zemër në 90-minuta deçizive skuadrës në fushë.
Në fakt, disa prej ultrasve ishin edhe në ndeshjen me Meksikën ku Argjentina fitoi 2-0 dhe në tribuna ndjehej diferenca. Ndaj, për ndeshjen më të rëndësishme të Botërorit deri në këto momente për Argjentinën, Federata mbështet dhe i beson ultrasve për t’i dhënë një “dorë” Messit dhe tjerëve që synojnë lavdinë në Katar.