FC Malisheva merr 160 mijë euro si ndihmë nga mërgimtarët
FC Malisheva ka bërë publike shumën me të cilën është ndihmuar nga mërgimtarët.
Klubi nga elita e futbollit tonë ka bërë të ditur se ka marrë 160 mijë euro, teksa falënderoi ish-presidentin e tyre, Afrim Bytyçin, si dhe Bahri Tahirin, Muhamet Bytyçin e Shpejtim Shalën.
Sipas njoftimit të klubit, personat në fjalë shprehen vullentarisht dëshirën për të ndihmuar Malishevën.
“Derisa fillimi i sezonit të ri po afron, bashkë me të edhe një mundësi e re për të realizuar qëllime, sfida dhe ndryshime të reja. Sot presidenti i klubit Driton Morina takoi disa mërgimtarë të cilët vullnetarisht shprehën dëshirë që të ndihmojnë FC Malishevën me 160.000.00 euro.
Ish-presidenti i klubit Afrim Bytyqi i cili nuk u ndal asnjëherë së përkrahuri klubin, vazhdon me promovimin e klubit në Diasporë duke siguruar përkrahje të paçmueshme.
Klubi falënderon përzemërsisht: Ish-presidentin Afrim Bytyçi dhe miqtë e tij Bahri Tahiri, Muhamet Bytyqi e Shpejtim Shala.
FC Malisheva inkurajon edhe futbolldashës tjerë që të përkrahin FC Malishevën me qëllim të avancimit të futbollit dhe gjithpërfshirjes në këtë sport. Kontributi juaj ka peshë të madhe për promovimin e klubit dhe futbollit.
Angazhimi do jetë i yni, mirëpo çdo meritë dhe lëvdatë u dedikohet donatorëve tanë.
Faleminderit mërgimtarë që jeni të pakursyer!!!”, njofton FC Malisheva.