Klubin i futbollit Ferizaj – femrat, në telashe me klubin e meshkujve, Dinamon e Ferizajt.
Sipas tyre, Dinamo ua ka marrë dhunshëm teshatoret.
Ferizajaset reagojnë ashpër duke kërkuar ndihmë nga institucionet.
“FC Ferizaj Vajzat U17 njofton opinionin sportiv se para disa ditësh, si pasojë e një veprimi të paprecendent nga klubi FC Dinamo, na është marrë dhunshëm zhveshtorja që e kemi shfrytëzuar në objektin e Stadiumit të Qytetit.
Ajo zhveshtore është rregulluar e renovuar me mjete vetanake të klubit dhe është rregulluar me inventar që t’i përshtatet nevojave tona si femra.
Për më tepër kanë mbetur edhe pak javë deri në fillimin e garave të kampionatit dhe ne kemi mbetur në mëshirën e fatit dhe viktimë e forcës së bërrylave të atyre që quhen ‘burra’.
Fatkeqësisht ne nuk kemi as ku të ndërrohemi për dalë në stërvitje.
Kërkojmë nga organet kompetente, Federata e Futbollit të Kosovës, Komuna e Ferizajt, Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, që të ndërmarrin veprimet e menjëhershme që vajzave tu lejohet ta zhvillojnë aktivitetin e tyre sportiv dhe të ndjekin ëndrrën e tyre.
Ne e duam lojën e futbollit, e luajmë me pasion të njëjtë si meshkujt, andaj mos na e ndalni rrugëtimin tonë vetëm e vetëm që jemi krijesa më të buta e më të pafuqishme.
Na lejoni të jemi të barabartë sepse forca e trupit nuk është arma që përdoret në sportin e futbollit”, reagon FC Ferizaj femrat në profilin e facebookut.