Incidentet e ditëve të fundit në palestrat sportive ku janë zhvilluar ndeshjet e basketbollit, e të cilat kulmuan me përleshjen fuzike ndërmjet tifozëve të Sigal Prishtinës dhe atyre të Trepçës kanë ngritur alarmin në institucionet përgjegjëse si Federatën e Basketbollit dhe Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Sot është takuar urgjent edhe Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive negative në Sport që doli me rekomandimin për ndalimin e tifogrupeve nëpër palestrat sportive.
Menjëherë pas kësaj mbledhje, Federata e Basketbollit të Kosovës ka ftuar në takim urgjent kryetarët e klubeve dhe këtë për KosovaPress e ka konfirmuar kryetari i kësaj federate, Arben Fetahu.
“Federata e Basketbollit të Kosovës ka raportuar sot para Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive për incidentet e shënuara gjatë ndeshjeve të Superkupës së Kosovës javën që e lëmë pas e që kulminuan me përleshjen mes disa tifozëve të papërgjegjshëm nga Prishtina e Mitrovica gjatë ndeshjes finale të zhvilluar mbrëmë.”, ka thënë Fetahu për KosovaPress.
Ai më tutje ka thënë se nga Këshilli i Sportit kanë prqnuar rekomandime që kanë për qëllim çrrënjosjen e dhunës nëpër palestrat sportive.
“Më tej, FBK ka pranuar nga Këshilli Kombëtar rekomandimet të cilat kanë për qëllim shmangien dhe çrrënjosjen e dhunës nga terrenet e basketbollit dhe me të pranuar ato ka ftuar takim urgjent me të gjithë kryetarët e të gjitha klubeve të Superligës dhe ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit Ekzekutiv të FBK, me qëllim të rishikimit të rrjedhjes së ngjarjeve dhe pajtimit për hapat e mëtejmë me qëllim të sigurimit të pajtueshmërisë me rekomandimet e Këshillit Kombëtar. “, shtoi i pari i FBK-së.
Fetahu shtoi gjithashtu se është objektiv parësor i FBK-së që të sigurojë mbarëvajtje të garave dhe të garantojë që terrenet basketbollistike t’u shërbejnë basketbollistëve dhe basketbolldashësve.