Klubet e basketbollit në Kosovë janë duke kaluar sërish nëpër një proces të licencimit, i kërkuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK). Përkundër se një gjë e tillë sjell disa angazhime shtesë, drejtuesit e klubeve thonë se ky proces shërben për konsolidimin e tyre.
Drejtori i klubit të basketbollit “Vëllaznimi”, Ideal Bakija ka thënë për KosovaPress se ky është një proces që tashmë FBK-ja e kërkon çdo vit
Bakija: Licencimi i klubeve të basketbollit, proces i nevojshëm
“Ne jemi afër kompletimit, i kemi edhe disa dokumente që duhet t’i dërgojmë në federatë për ta finalizuar licencimin. Është një proces që çdo vit shtohen disa kërkesa të reja, por janë kërkesa elementare, të cilat ne mendojmë se duhet të jenë të përmbushura që një klub të garojë në Superligë…Disa nga kushtet kryesore është janë se ne duhet të kemi një strukturë të definuar të klubit, t’i kemi disa trajnerë me kontratë, kontratë me policinë, kontratat me lojtarët, një sallë e cila i përmbush kushtet për lojë që janë kërkesa elementare që i duhen një klubi për ta funksionuar”, ka thënë Bakija.
Të domosdoshëm këtë proces e konsideron edhe Liridon Gashi nga klubi i basketbollit “Bashkimi” duke thënë se përmes tij pasqyrohet gjendja financiare me të cilën operojnë klubet.
Gashi: Licencimi siguron operim brenda kornizave ligjore
“I standardizon proceset e punës për secilin klub, kështu që janë shumë të mira nëse duam të punojmë mirë ligjërisht, edhe anën financiare ta kontrollon, e ke parashikimin e anës financiare, bilancet pozitive ose negative, shihet nëse është duke operuar një klub me pozitivitet financiar, kështu që janë procese që duhet të përmbyllen nga të gjithë dhe është mekanizëm i kontrollit për secilin, është i domosdoshëm dhe është proces jo i vështirë”, tha Gashi.
Deri më tani sipas kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu, këtë proces e kanë tejkaluar shumica e klubeve.
Fetahu: Shumica e klubeve kanë përmbushur kushtet e licencimit
“Shumica dërmuese e klubeve veç kanë kaluar nëpër këtë proces, i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Jemi në pritje të disa klubeve të caktuara për t’i sjellë ato dokumente, për ta përmbushur këtë proces të licencimit, por në parim, çdo vit po shkon pak më lehtë se vitin e kaluar”, theksoi Fetahu.
Në rast të mos licencimit, Fetahu thotë se klubet rrezikojnë suspendimin nga garat.
Fetahu: Mos licencimi suspendon klubet nga gara
“Pasojat për klube mund të jenë mospjesëmarrja në gara, kjo është kryesorja. Nëse nuk licencohesh, atëherë nuk merr pjesë në gara. Ne e kemi për obligim që t’i suspendojmë nga çfarëdo aktiviteti të gjitha klubet të cilat nuk e kalojnë procesin e licencimit”, tha Fetahu.
Ndryshe, edicioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll starton më 14/15 shtator, që pritet të jetë njëri nga më interesantet në vitet e fundit.
Burimi: botasot.info