“Fatos Nanon e burgosi…”, Frrok Çupi plas ‘bombën’: Këtu ndizet drita e kuqe e alarmit!

min lexim

Analisti Frrok Çupi ka dalë me një reagim pas deklaratës së Sali Berishës në një emision televiziv se ish-kryeministrin Fatos Nano nuk e burgosi ai, por ish-ministri i kohës së komunizmit Shane Korbeci.

Komenti i plotë:

Fatosin e burgosi Shane Korbeci

Ngjarjet e historisë nisin nga fundi i saj, si në ekzistencializëm kur ‘e djeshmja nis nesër’. Dje, ish- presidenti (1992-97) Sali Berisha deklaroi publikisht se ‘Fatos Nanon nuk e burgosa unë, e burgosi Shane Korbeci…’.

Kjo nuk është një marrëzi.

Fatos Nano ishte kryeministër, kryetar i PS, kryetar i opozitës, kryeministër edhe dy herë të tjera; i burgosur politik në regjimin e ‘demokracisë’. Ndërsa Shane Korbecin e njohin pak njerëz sot. Inxhiner mekanik, eksponent politik i sistemit komunist, 10 vjet ministër që nga viti 1981 derisa komunizmi dha shpirt.

Fatosi u burgos në verën e vitit 1993, ndërsa në vitin 1994 u dënua me 12 vjet burg. La burgun në vitin 1997, në momentin kur shteti i ‘demokracisë’ ra dhe të gjitha burgjet u zbrazën. Kur ra shteti në vitin 1997, gjithë bota demokratike mori lajmin se ra shteti ‘gangster dhe i dhunshëm’ që kishte kontrolluar edhe kur merrnin frymë kundërshtarët. OKB solli këtu 6000  trupa ushtarake për të mbrojtur individët nga njëra tjetri dhe nga mbetjet e shtetit të rënë. Në këtë shtet me dhëmbë hekuri dhe pa shpirt, Sali Berisha tha dje se Fatos Nanon e kishte burgosur një ministër i periudhës së humbur të komunizmit (!).

Por megjithatë ministrat e regjimit të rënë kishin në dorë të burgosnin kryetarin e Opozitës në regjimin pasardhës (!). E tha vetë presidenti i kohës.

Kjo nuk është një marrëzi!.

Këtu ndizet drita e kuqe e alarmit për alibinë e autorit të krimeve se ‘e djeshmja nis nesër!’. Autori i burgosjes së Fatosit, dhe autor i rrënimit të vendit që nga viti 1992, autor i mijëra viktimave njerëzore, ndien se ka ardhur ora për ‘nesër’.

Berisha nesër në Beograd:

-Unë ju dhashë naftën dhe armët për luftën e Kosovës dhe të Srebrenicës. E dija se do të vinte kjo ditë, domethënë sot!

-Nesër? Nesër, që sot, jam këtu. Kur thashë se ‘nuk kam lidhje me Sllobon’ e thashë për atëherë; tani jemi nesër.

– Unë armik me ju? Ajo ishte loja, ju i dini lidhjet mes nesh. Edhe Karaxhiçin nuk e kam mohuar kurrë pse ngjajmë të dy. Mlladiçin nuk e kam takuar kurrë.

-Arkanin e takova dhe fola; takova edhe Sllobon, por këtë e lëmë njëherë për njëherë.

– Kam falënderim për Mumirin ( Bullatovic)  për librin që shkroi; sot e kam dëshmi se ‘nesër’ isha me ju.

– Kam dhënë prova të vështira, qysh me zhdukjen e Remzi Hoxhës… Erdhi ajo që  prisja, ‘nesër’.

Berisha nesër në Kosovë:

-A u kisha thënë ‘mos e besoni Amerikën!’. U thashë kur ishit në Rambuje ‘mos nënshkruani’. E shikoni, tani Amerika ra, çka ban Kosova!.

-Rugovën?… Ibra kishte marrë vesh lidhjet e mija me Sllobon, e qysh atëherë nuk e desha afër. Nuk e vrava, për hir të së vërtetës, por i tregova vendin. Kisha mundësi ta vrisja kur ishte në Tiranë, por nuk e bana për hir të Kosovës.

– Hashim Thaçin në burg?… Po, në burg e çova se e dija që në burg do të shkonte në Hagë. Mora sinjal nga Beogradi se ‘kjo punë nuk ban’ dhe e lirova…. Sahit Pajazitin?, Adem Jasharin?… Nuk i burgosa unë, këta i burgosi Hashim Thaçi,  ç’është e vërteta. Ali Ukën e vrau Adem Jashari…

Berisha nesër në Moskë:

-A mbani mend?, ua kisha thënë se Amerika është e dobët. Kam tash tre dekada që më përndjekin amerikanët. Ma banë një nder që më shpallën ‘non grata!’. E ka thënë edhe një shoku im në Tiranë…, por gabim e bani që e tha.

-Shqipërinë e ankorova në Konferencën Islamike, sipas këshillës suaj… Jo, dëshmitarët nuk janë më gjallë, që atëherë, për hir të së vërtetës; as ambasadori Hoti, as spiuni Gazidede.

-Jo, për hir të së vërtetës, Amerikën nuk e desha kurrë. Qysh atëherë kam punuar për ju. E lavdërova edhe urinë dhe kasaphanën që shkaktuat në Sri Lanka; tash po e bëjmë edhe në Tiranë si atje.

– Unë sot jam ‘nesër’, besoj m’kuptoni!  Periudha ‘Dje’ ka nisur nesër për mua, edhe Konfuci kishte lindur 30 vjet para të atit. Qysh atëherë kam punuar për ju, mos dëgjoni ça kam thënë deri tash. Tash ra Amerika, tash jemi ‘nesër’.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Helmimi i banorëve në Kosovë, dalin përgjigjet e analizave, çfarë rezultoi nga uji i pijshëm

Story i radhës

Nën presionin e autoriteteve Evropiane TikTok anulon përkohësisht ndryshimet kontroverse të politikës së privatësisë

Të fundit nga