FAO: 2.3 miliardë njerëz përballen me pasiguri ushqimore

min lexim

Një raport i ri i Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) thotë se bota po ecën prapa në përpjekjet për t’i dhënë fund urisë, pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes në të gjitha format e saj. Agjencia ka publikuar një raport global të urisë, të titulluar “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë 2022”.

Në Republikën Demokratike të Kongos, të paktën 27 milionë njerëz po përballen me pasiguri ushqimore, sipas një raporti të OKB-së.

OKB-ja parashikon një përkeqësim të situatës për shkak të luftimeve të fundit midis grupeve rebele dhe ushtrisë në lindje të vendit, me pasuri minerale. Luftimet kanë shkaktuar zhvendosjen e dhjetëra mijëra njerëzve.

Sipas një raporti të Këshillit Norvegjez të Refugjatëve (NRC) kriza në Republikën Demokratike të Kongos konsiderohet si situata më e neglizhuar e zhvendosjes së njerëzve në botë.

Sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), vendi gjithashtu po përjeton nivele të larta të pasigurisë ushqimore, ku rreth 500,000 njerëz ndodhen në një situatë të rëndë.

Furnizimet me ushqim dhe ujë janë të kufizuara dhe ofrohen vetëm nga organizatat humanitare.

Duke mbajtur një qese me fasule në kokë, Kasula Adisi, një nënë 27-vjeçare e dy fëmijëve që u largua nga dhuna në Rutshuru, thotë se nuk ka ushqim apo ujë dhe varet nga dashamirësia e të tjerëve.

Unë kam ca fasule në këtë tenxhere, (që e mban në kokën e saj) që ia kërkova një fqinji për t’ua dhënë fëmijëve që nuk kanë ngrënë që nga dita e djeshme”, thotë ajo.

E veja 61-vjeçare Suzanne Neema thotë se ajo lutet çdo ditë për ushqim për fëmijët e saj, disa prej të cilëve janë të sëmurë për shkak të kequshqyerjes.

“Kam dhjetë fëmijë, katër prej tyre tashmë janë sëmurë për shkak të mungesës së ushqimit, ata vuajnë nga mungesa e proteinave për shkak të kequshqyerjes”, thotë ajo.

Rritja më e madhe numrit të njerëzve që vuajnë nga pasiguria ushqimore ka ndodhur në Afrikë, thuhet në raportin e FAO-s.

Rreth 2.3 miliardë njerëz në botë kanë vuajtur nga pasiguria e rëndë ose e moderuar ushqimore në vitin 2021, ose gati 30 për qind e popullsisë globale, duke shënuar një rritje me mbi 350 milionë njerëz krahasuar me shifrat e vitit 2019, një vit përpara se të fillonte pandemia e koronavirusit.

Pandemia e koronavirusit rriti pabarazinë mes vendeve dhe brenda vendeve, ku ekonomia nuk ka arritur të rimëkëmbet.

Në raportin e FAO-s thuhet se një krizë tjetër, e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë ushqimore në botë.

Kriza në Ukrainë, është e sigurt se do të ndikojë edhe në furnizimin me ushqime. Tashmë po shohim një rritje të çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburantit, që e rrit më tej koston e operacioneve humanitare“, thotë Abdoulaye Sawadogo nga zyra e OKB-së për Koordinimin e Ndihmave Humanitare në Republikën Demokratike të Kongos.

Ndonëse statistikat e paraqitura në këtë raport përfaqësojnë gjendjen e sigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes deri në vitin 2021, efektet direkte dhe indirekte të konfliktit në Ukrainë në vitin 2022 do të kenë pasoja të shumëfishta për tregjet globale bujqësore, prodhimin dhe çmimet.

Raporti i FAO-s thekson nevojën për t’u përqëndruar në sigurimin e dietave të shëndetshme dhe për t’i bërë ato më të përballueshme për të gjithë./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Si t’i ndreqni marrëdhëniet me kolegët në punë?

Story i radhës

Politikanëve që kanë vjedh t’u merret pasuria e t’i kthehet popullit…!

Të fundit nga