Famija e Haki Imerit i ka dërguar letër kryetarit të LDKs-ë, Lumir Abdixhiku.
Në letër bëhet thirrje për maturi dhe veprim drejt frymës rugovine për të mos tkurrur besimin e qytetarëve ndaj LDK-së.
Më tej, përmes kësaj letre Abdixhiku kritikohet për bashkëpunimin me Edi Ramën dhe disa njerëz të PDKs-ë, që sipas kësaj letre thuhet se vetëm i kanë bërë dëm LDK-së.
Letra e plotë:
Letër e Hapur Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku
I nderuar z. Abdixhiku,
-Me gjithë respektin për udhëheqjen tuaj, më lejoni të shpreh shqetësimin dhe reflektimin tonë, mbi drejtimin që keni zgjedhur për të udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës.
– Rruga juaj drejt majës të LDK-së duhej të ishte një proces i gjatë dhe i pasuruar me një sërë përvojash politike.
– Por, papritur, ju arritët në krye të kësaj partie më shpejt se sa pritej.
-Kjo arritje e shpejt dëshmon për një dinamikë të re, por gjithashtu bartë me vete një përgjegjësi të madhe për t’u përballur me sfidat dhe trashëgiminë që historia politike e LDK-së ka lënë pas.
-Është fakt i pakontestueshëm se politikat dhe udhëheqjet e mëparshme e kanë sjellë LDK-në në një pikë të dobët elektorale, duke e katandisur nga forca kryesore parlamentare në partinë e tretë në vend, me një mbështetje prej vetëm 12%.
– Kjo tkurrje elektorale nuk erdhi rastësisht, por si pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të gabuara dhe largimit nga vlerat e themeluesit të saj, Dr. Ibrahim Rugova.
-Udhëheqësit e mëparshëm shpesh vepruan si prifti; që predikon ujë, por pi verë, duke u larguar nga mësimet dhe parimet mbi të cilat u themelua kjo parti.
– Ata humbën lidhjen me bazën, me idealet dhe vizionin rugovian, çka e çoi partinë në humbjen e besimit të qytetarëve.
-Me ardhjen tuaj në krye të LDK-së, ju keni sjellë një iniciativë të re dhe një qasje që premton rigjenerim dhe ringjallje të partisë.
-Megjithatë, kjo qasje e re duhet të mbështetet fort në filozofinë rugoviane të të menduarit dhe vepruarit.
-Në të kundërten, ekziston rreziku që LDK-ja të vazhdojë të tkurret dhe të humbasë edhe më tej mbështetjen e saj.
– Ju i përkisni një gjenerate të re, e cila sjell një frymë të freskët dhe dinamike, por mbështetja e kësaj fryme mbi filozofinë e Dr. Rugovës mbetet vendimtare për suksesin e mëtejshëm të partisë.
-Sot, politika nuk bëhet më, vetëm me fjalë; qytetarët janë më të informuar dhe analizojnë veprimet, pasi teknologjia informative e ka bërë transparencën dhe llogaridhënien standard aktiv të pakalueshëm.
-Në politikë, është e kuptueshme dhe e domosdoshme të ndërtohen ura komunikimi dhe bashkëpunimi.
-Por, duhet pasur kujdes në aleancat dhe mbështetjet politike.
-Të bashkëpunosh me liderë si Edi Rama, me një të kaluar të diskutueshme, dhe një prezence aktive në krim e korrupsion nuk është një zgjedhje strategjike.
-Megjithatë, lidhja dhe pozicionimi me figura të ndotura nga PDK-ja që me veprimet e tyre e kanë dëmtuar LDK-në kërkon reflektim të thellë dhe përgjegjësi të madhe.
-Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua mbi parimet e lirisë, demokracisë dhe integritetit, dhe çdo lider ka përgjegjësinë të ruajë këto vlera me kujdes dhe përkushtim.
-Paraardhësit tuaj shpesh nuk ishin të kujdesshëm, sepse duke krijuar aleanca, për nevoja personale, e çuan partinë pranë “arkivolit” të saj politik.
Z. Abdixhiku, udhëheqja juaj ka potencialin të sjellë një frymë të re në LDK, por ky potencial mund të realizohet vetëm nëse riktheheni tek linja rugoviane dhe ruani integritetin e vizionit të Dr. Rugovës.
-Misioni juaj duhet të jetë jo vetëm ringjallja e LDK-së, por edhe rikthimi i besimit të qytetarëve. Kjo mund të arrihet përmes veprimeve konkrete, ruajtjes së parimeve dhe përkushtimit ndaj interesave të qytetarëve.
-Nëse ndiqni këtë rrugë, mund të ringjallni LDK-në dhe ta riktheni atë si një forcë kryesore politike në Kosovë.
-Përndryshe, rreziku i tkurrjes dhe humbjes së besimit të qytetarëve do të jetë gjithmonë i pranishëm, dhe historia do të tregojë që shërbimi juaj ndaj qytetarëve nuk do të validitohet kurrë, nese ‘rruga e re’ anashkalon platformen rugoviane.
Burimi: botasot.info