Fajon: Deri në 2030-tën RMV mund të bëhet anëtare e BE-së

October 18, 2022
min lexim

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot, realizoi takim me zëvendëskryetaren e Qeverisë, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

Fajon, dërgoi urime për siç tha ajo, suksesin historik të hapjes së negociatave hyrëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“jam e vetëdijshme se kjo është rrugë e dhimbshme dhe e mundimshme, gjegjësisht vendimi është shumë i rëndësishëm. Mbetet Maqedonia e Veriut të bëjë gjithçka për njerëzit, që të fillojë proces i rëndë i reformave dhe ajo nuk është detyrë vetëm për Brukselin, por për tërë Maqedoninë”, tha Fajon.

Ajo shtoi se e mbështet Maqedoninë e Veriut që deri në vitin 2030 të bëhet anëtare e BE-së.

“Nëse të gjithë qytetarët janë në atë rrugë, Sllovenia do ta mbështetë. Është e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm se bisedimet hyrëse kanë filluar. Sllovenia ka bërë gjithçka që të mos rrezikohen marrëdhëniet bilaterale në procesin e anëtarësimit dhe shteti në mënyrë të papenguar të vazhdojë në këtë rrugë dhe gjuha maqedonase të mos rrezikohet. Marrëveshja me Fronteksin është dëshmi, ku gjuha maqedonase do të jetë prioritet. Nëse bëjmë komparacion, edhe ne kemi përvoja të dhimbshme, e kishim patjetër të pranojmë kompromise të rënda, por ja arritëm qëllimit. Do të nevojiten shumë përpjekje, gjithsesi raporti qartë tha se cilat janë pikat problematike ku patjetër duhet më shumë të koncentrohemi”, tha Fajon.

Ajo, gjithashtu tha se 40% e legjislacionit të vendit është i harmonizuar me atë të BE-së, që tregon se Maqedonia e Veriut do të jetë e suksesshme në këtë rrugë.

Duke theksuar Jubileun e sivjetmë – 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, u potencua  miqësia e sinqertë dhe e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Në takim u shkëmbyen mendime për situatën aktuale politike në dy vendet, për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, ku vërehet trend i rritjes së vazhdueshme krahasuar me vitet e kaluara.

“Fillimi i negociatave është ngjarje historike jo vetëm për ne, por edhe për Unionin. Mbështetja e Republikës së Sllovenisë në këtë rrugë është e zëshme dhe e pahamendshme. Neve në vijim na mbetet që t’i implementojmë obligimet e marra, të cilat nuk janë të thjeshta. Na nevojiten ndryshime kushtetuese, për të cilat si Qeveri, mbetemi plotësisht të përkushtuar dhe do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet për të krijuar mbështetje të duhur politike. Gjithsesi, sërish llogarisim në mbështetjen e miqve tanë- Slloveninë në radhë të parë dhe si fqinji i drejtpërdrejtë i Ballkanit, duke pasur parasysh se integrimi i vendit paraqet interes të ndërsjellë”, theksoi Osmani.

Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi nga bashkëpunimi në kuadër të Aleancës së NATO-s, duke dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës, kërcënimet për përshkëallëzimin e konfliktit nga ana e Rusisë, ndërsa e rikonfirumuan mbështetjen për Ukrainën në çdo mënyrë të mundshme.

Ndryshe, Raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut u publikua më 12 tetor, në të cilin thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Vetëm në kriteret ekonomi është theksuar progres i mirë, ndërkaq në harmonizimin e vendit me politikën evropiane të jashtme dhe të sigurisë ka progres shumë të mirë.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Messi tregon favoritët e Botërorit

Story i radhës

Këto 3 shenja do të përjetojnë “qiellin e shtatë” këtë javë në dashuri

Të fundit nga

ShkoLartë