Evazioni fiskal 189 milionë euro, Kryemadhi: Drejtësia e vonuar! Skema e inceneratorëve me bekimin e Edi Ramës

min lexim

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk i ka kursyer kritikat për drejtësinë e re edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, kryetarja e LSI-së shprehet se në çdo vend të botës do duhet të kishte rënë qeveria dhe drejtësia do kishte reaguar me urgjencë në lidhje me skandalin e inceneratorëve dhe të evazionit fiskal të zbuluar me kompanitë guaskë. “Mund të them evazionin fiskal, të cilin unë e denoncova para disa ditësh, mund të them që është në vlerën 189 milionë dollarë. Do t’ju bëja vetëm një pyetje, çfarë do të ndodhte nëse një nga pensionistët e përdorur në azil të pleqve do të ishte mamaja e Monikës apo do të ishte prindi mamaja ose babai i ndonjë punonjësi shqiptar të ambasadës amerikane në Shqipëri? Apo do të ishte mamaja e gruas së Edi Ramës, apo nëna e Edi Ramës, e cila ka vdekur, të ishin përdorur të dhënat e tyre siç ka ndodhur me të dhënat e tjera. A është ky cenim i sigurisë të të gjithë shtetit ligjor dhe të të gjithë funksionimit të ekonomisë shqiptare. Pra, është shumë e rëndë, në çdo vend të botës jo vetëm do të kishte rënë shteti, por në çdo vend të botës drejtësia do të kishte reaguar me një urgjencë të jashtëzakonshme. Për inceneratorin e Tiranës ka mbi një vit e gjysmë hetim, ndërsa për dy inceneratorët e tjerë, Elbasani dhe Fieri, pasi këtu është dhe pyetja shumë dyshuese pasi janë paguar të gjitha paratë, pra, janë shlyer nga qeveria shqiptare buxhetet 100%, atëherë SPAK-u veproi mbi këto dy inceneratorë, në mënyrë të tillë që të lejohej të bëheshin pagesat deri në fund për inceneratorin. Ndërsa për inceneratorin e Tiranës, ne nuk mendojmë që duhet të presim derisa të mbyllet për 30 vjet koncesioni që Erion Veliaj ka firmosur për të. Dhe jo vetëm Erion Veliaj, por dhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka bërë bekimin për të gjithë skemën e mashtrimit dhe të për dorimit jo vetëm të pastrimit, por të katër veprave penale”, tha kryetarja e LSI-së.

AMNISTIA FISKALE 

Ndërkohë, Kryemadhi akuzoi Kryeministrin Rama se me nismën për projektligjin e amnistisë fiskale ka dy qëllime. E para, të tërheqë vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e korrupsionit dhe në fazën e dytë për të legalizuar paratë e pista të bandave brenda Shqipërisë dhe jashtë. “Kjo është një situatë për të shmangur vëmendjen nga gjithë kjo skemë korruptive. Ku po të kishte një sistem drejtësie, SPAK-u po të ishte që vërtet është SPAK, pra, të ishte një institucion që funksionon, mbi këtë gjë do të kishte hetuar. Jo vetëm aferën korruptive të inceneratorëve, por do të kishte zbardhur dhe futjen e parave, të cilat vijnë në këndvështrimin tim jashtë biznesit shqiptar. Pra, vijnë shumë para të pista që janë futur në ndërtim, janë futur në qarkullim. Dhe përveç kësaj kanë dëmtuar ekonominë shqiptare. Dhe duke u kthyer për të larguar vëmendjen jo vetëm të opinionit publik, por dhe të opinionit ndërkombëtar me amnisti fiskale, e cila është një amnisti kriminale, e cila tjetërson paratë e krimit, të drogës, pse jo dhe të terrorizmit apo dhe të trafiqeve të tjera për ta legalizuar në Shqipëri. Unë nuk mendoj që amnistia fiskale që në ligjëratë të drejtë sipas Kryeministrit shqiptar apo dhe avokatëve të tij do të shërbejë për diasporën. Unë nuk mendoj që ka ndonjë emigrant shqiptar që jeton në Amerikë dhe do të sjellë 2 milionë dollarë kesh në Tiranë apo jo. Se nuk të lë njeri të dalësh nga kufijtë e Amerikës me 2 milionë dollarë kesh, apo nga Gjermania apo nga Anglia. Mendoj që ky është një manipulim jo vetëm i opinionit publik, por dhe mund të shërbejë si një linjë e pastrimit të parave të shumë grupeve kriminale jashtë dhe brenda Shqipërisë”, tha Kryemadhi.

PROTESTA 

Duke u ndalur te protesta e 7 korrikut, ajo tha se qytetarët tejkaluan partitë politike. Sipas saj, qytetarët dolën kundër qeverisë për korrupsionin dhe vjedhjen që sipas saj u bëhet. Por një sinjal pozitiv e pati edhe për opozitarizmin pa i vendosur emra. “Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them që goditja që opozita e kaluar i bëri protestës qytetare duke shitur kauzat është shumë e vështirë për ta rikthyer dhe ajo ishte një dritë shpresë për opozitarizmin, jo për t’u bazuar te figurat e opozitës, por për t’u bazuar te kauzat që japin zgjidhje. Mendoj që sot shqiptarët nuk kanë më nevojë për ta identifikuar qëndresën e tyre me fytyrën e Monikës. Por sot shqiptarët shikojnë çdo ditë sesi iu merren nga xhepat e tyre 80 mijë euro në ditë me inceneratorin e Tiranës, që është një nga çështjet më të ndjeshme me atë çfarë ka ndodhur dhe atë çfarë ndodh që ka shkuar dhe ka cenuar jo vetëm integritetin juridik dhe tregtar të Shqipërisë, por ka cenuar mbi të gjithë integritetin e të dhënave personale dhe përdorimin e të dhënave të të gjithë njerëzve”, tha Kryemadhi duke shtuar edhe qëndrimin e saj me faktin se Partia Demokratike drejtohet nga Berisha, i cili është i shpallur non grata nga SHBA. “Unë mendoj që zoti Berisha e ka çështje personale çështjen e të shpallurit non grata. Është një çështje, të cilën ai e ka nisur rrugën e vet të sqarimit. LSI është një strukturë politike më vete, por sigurisht qëndresat e opozitarizmit në raste të tilla siç janë përkundrejt çmimeve të larta, siç është përkundrejt mungesës së mundësive që iu jepen shqiptarëve”, u shpreh kryetarja e LSI-së.

 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Çfarë është varianti BA.5 i koronavirusit?

Story i radhës

Mbi 2 mijë raste aktive me coronavirus në Kosovë

Të fundit nga