Europa tregon unitet përballë agresionit rus në Ukrainë

min lexim

Pamjet e 40 liderëve europianë që rrethuan presidentin francez, Emmanuel Macron në Pragë, ofruan një imazh simbolik të unitetit në kontinentin e përballur me krizën e sigurisë më të rëndë në dekada dhe e bënë samitin inaugurues të Komunitetit Politik Europian një sukses fillestar për kreun e Elizesë që propozoi idenë pak muaj më parë.

Mesazhi kryesor i përcjellë në këtë takim të parë, ishte izolimi i Rrusisë. “Mesazhi i pari i fuqishëm që duam të përcjellim është se ne kemi treguar unitetin e 44 shteteve europiane të cilat e kanë thënë qartë se dënojnë agresionin rus dhe mbështesin Ukrainën. Europa është e përçarë mbi disa çështje, por këtu jemi të gjithë të bashkuar”, tha Macron.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke iu drejtuar pjesëmarrësve nëpërmjet një video lidhjeje, u bëri thirrje udhëheqësve që ta shndërrojnë komunitetin e ri politik në një “komunitet evropian të paqes”. “Gjatë 225 ditëve të kësaj lufte të plotë ne kemi treguar se Europa mund të influencojë në çështjen e luftës dhe paqes. Por tani, të gjithë së bashku duhet të veprojmë në mënyrë që formula e luftës të bllokohet plotësisht dhe ajo e paqes të përmbushet”, tha Zelensky.

Takimi i radhës pritet të mbahet në Moldavi, fqinjin e vogël të Ukrainës, ndërsa më pas planifikohet të vazhdojë në Spanjë dhe në Britaninë e Madhe. Por edhe para e madje edhe gjatë takimit, kritikët kanë tërhequr vërejtjen që Komuniteti Politik Europian të mos shndërrohet në një alternativë për vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Europian.

Kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës të Bashkimit Europian, siguroi se qëllimi është ky. “Nuk duam të zëvendësojmë format ekzistuese të bashkëpunimit. Nuk kemi miratuar asnjë rezolutë zyrtare. Thjesht ndjejmë nevojën për të pasur një hapësirë për shkëmbim joformal të pikëpamjeve mbi ngjarjet e vazhdueshme në Evropë dhe më gjerë”.

Por kritikët janë të shqetësuar se një forum kaq i gjerë mund të bëhet pengesë duke pasur parasysh larminë politike e kulturore dhe rivalitetet tradicionale midis shumë prej anëtarëve të këtij forumi nga Armenia dhe Azerbajxhani, te Greqia e Turqia dhe Serbia e Kosova. Në kuadër të samitit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zhvilloi një takim që konsiderohet si historikë me liderin armen, i pari që kur dy vendet njoftuan synimet për të përmirësuar raportet pas dekadave armiqësi. Ankaraja nuk ka pasur lidhje diplomatike e komerciale me Armeninë që prej viteve 90-të, dhe tensionet u rindezën furishëm në luftën e 2020-s, për territorin e Nagorno-Karabakh.

Burimi: GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pse nuk duhet t’i lani kurrë dhëmbët sapo zgjoheni në mëngjes

Story i radhës

Formacioni i javës

Të fundit nga