Partia Progresive e Serbisë e Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i kriminelit Sllobodan Millosheviq, pritet të fitojë, sipas sondazheve, por ka pak gjasa të sigurojë një mazhorancë dërmuese prej 188 vendesh nga 250 sa ka Parlamenti serb. Serbia është shteti i vetëm në Ballkan dhe Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe po organizon protesta në përkrahje të Vladimir Putin-it. Gjithashtu Rusia po e përdor Serbinë për t’i ikur sanksioneve të Evropës dhe SHBA-së.
Një sondazh i fundit i kompanisë “Faktor Plus”, i publikuar në të përditshmen “Blic”, e nxori partinë e Vuçiq fituese me 53% të elektoratit. Ndërkohë që vetë Vuçiq që votoi në orët e para të së dielës, pret të sigurojë një mandat tjetër 5-vjeçar.
“Sa i takon pritjeve të mia, besoj në një fitore domethënëse dhe bindëse. Gjithashtu besoj se kushdo do të marrë atë që meriton, në përputhje me atë që kemi bërë dhe natyrisht në përputhje me atë që njerëzit presin për të ardhmen. Dhe në të ardhmen do të jetë kritike ruajtja e paqes, stabilitetit dhe progresi ekonomik”, tha ai.
Grupimi i partive të ndryshme të opozitës, i quajtur Aleanca për Fitoren, pritet të dalë i dyti me 13.7 për qind të votave, ndërsa partneri i Vuçiq, Partia Socialiste e Ivica Daçiç e treta me 10.2 për qind të elektoratit.
Një ultranacionalist në vitet ’90, kur Serbia ndërmori spastrimet etnike në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, Vuçiq u bë politikan pro-evropian në vitin 2008. Por kritikët thonë se popullariteti i tij vjen si pasojë e stilit autokrat të udhëheqjes, që përfshin kontrollin e rreptë të mediave dhe punësimin në institucionet shtetërore vetëm të mbështetësve të tij.
Nisur nga kjo, opozita serbe ka deklaruar disa herë se zgjedhjet do të jenë të manipuluara dhe se persona fiktivë u janë shtuar listave zgjedhore.