Me kërkesë të Prokurorisë së Pisës së Italisë vitin që shkoi, SPAK hapi një procedim penal në lidhje me mashtrimin e qindra shtetasve italianë, dëmi i mashtrimit kap shifrën e 15 milionë eurove.
Në fakt, në momentin që erdhi kjo kërkesë, mashtrimet nga kompanitë e thirrjeve në vendin tonë kishin hyrë në faza të fuqishme hetimore, por jo nga ana e autoriteteve tona, por nga ato ndërkombëtare. Ndërkohë që spanjollët dhe një mori prokurorish të tjera kishin nisur të godisnin një rrjet të fuqishëm ndërkombëtar, ishin gjermanët dhe italianët e hetimit që mbërritën në vendin tonë dhe kërkuan të gjurmoheshin sallat e ‘Call Center’-ave që gjendeshin në çdo cep të Tiranës dhe të vendit.
Italianët e hetimit, prej më shumë se një dekade e dinë dhe e njohin mekanizmin e ‘call center’-ave si një punë e ‘shpikur’ nga biznesmenë të vendit të tyre të cilët e mësynë vendin tonë jo vetëm për krah pune të lirë po edhe se e kishin më të lehtë të korruptonin autoritetet shqiptare për çështjen e pagimit të taksave. Për pasojë janë me dhjetëra operacione të koordinuara kryesisht nga EUROJUST, me seli në Hagë, ku duket se një nga qendrat më të mëdha të mashtrimit me anë të thirrjeve telefonike ndodhin nga Shqipëria.
Dje, SPAK ka bërë me dije se prej dy ditësh është kryer një operacion i përmasave ndërkombëtare, ndërkohë që Spanja ka lajmëruar nga ana tjetër se ka mundur të arrestojë një nga protagonistët e rrjetit ndërkombëtar të mashtrimit, për të cilin akuzohet Amant Josifi, ishzyrtar i lartë i qeverisë shqiptare. Kështu, dje, u mësua se janë lëshuar disa urdhërarreste ndërkohë që janë sekuestruar një mori pasurish dhe sendesh të personave të dyshuar. SPAK njoftoi detajet e operacionit, por pa treguar se kush janë personat e arrestuar.
OPERACIONI SIPAS SPAK
SPAK mbi bazën fillimisht të një kërkesë për ndihmë juridike, të Prokurorisë e Republikës pranë Gjykatës së Pizës, Itali, ka regjistruar në vitin 2021 procedimin penal nr.166, për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”. Pas koordinimit me Eurojust, u ra dakord për krijimin e skuadrës së përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Pizës. Në datat 13-15 dhjetor 2022, në Shqipëri dhe Itali u zhvillua operacioni policor “HOAX”.
Ky operacion në Shqipëri u krye nga Njësia C – Hetimi i Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me BKH-në dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), i koordinuar nga Eurojust me seli në Hagë, Holandë. Gjatë këtij operacioni në Shqipëri janë kontrolluar 13 ambiente, qendra thirrjesh dhe banesa. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan, 162 pajisje kompjuterike (njësi kompjuterike, servera, DVR etj.) etj., aparate celulare, si dhe 11 pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasve J.M dhe M.D (banesa, truall, aktivitete tregtare, etj.).
Hetimet nxorën në dritë ekzistencën e një grupi kriminal që synonte kryerjen e mashtrimeve ndaj individëve, të cilët mashtronin qytetarë të shumtë që banonin në Itali dhe në vende të tjera evropiane (Spanjë dhe Gjermani), të kontaktuar kryesisht përmes telefonit, i bindnin viktimat e tyre të investonin në instrumente financiare realisht inekzistente, me premtimin e normave të larta të kthimit. Në periudhën nga muajt e parë të vitit 2019 deri në verën e vitit 2020, është verifikuar që këto investime pilotoheshin në platformën e tregtimit financiar online “CAPITAL COIN EXCHANGE” e menaxhuar nga kompania “DIRECT COIN LIMITED” në Londër, e cila premtonte rendimente shumë të larta ekonomike. Po ashtu me Vendimin Nr.93, datë 12.12.2022 të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë caktuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit: J.M dhe M.D., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrim kompjuterik” në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Mashtrimi 2.4 mld euro
Autoritetet spanjolle kanë arrestuar kreun e rrjetit ndërkombëtar të mashtrimeve në Call Center, që ka pasur aktivitet në Shqipëri. Kreu i dyshuar i grupit në Spanjë është arrestuar sapo ka shkelur në territorin katalanas, pasi ka fluturuar drejt Barcelonës me një fluturim nga Rumania. Arrestimi i kreut të grupit lidhet me operacionin e zhvilluar më 8 nëntor nga forcat policore të Gjermanisë, Suedisë, Finlandës, Letonisë, Ukrainës, Gjeorgjisë, Shqipërisë dhe Spanjës, të koordinuar nga Eurojust, i cili përfshinte çmontimin e një organizate kriminale.
Hetimet ndërkombëtare kanë konkluduar se me anë të mashtrimit është përfituar shuma prej 2.4 miliardë eurosh. Deri më tani janë identifikuar disa nga rrjetet kriminale pas më shumë se 470 faqeve interneti mashtruese të investimeve duke përdorur qendrat e thirrjeve 24-orëshe me bazë në Ballkan, një rrjet ndërkombëtar i kriptomonedhave. Nga kjo skemë thuhet se janë mashtruar të paktën 200 mijë europianë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë.