Me datë 15 shtator, delegacione zyrtare të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë fillojnë në Bruksel procesin teknik të ekzaminimit të legjislacionit të dy vendeve krahasuar me atë të Bashkimit Europian.
Screening-u ka për qëllim përafrimin e dy vendeve me legjislacionin e deritanishëm të Bashkimit Europian. Në përfundim të këtij procesi, Komisioni Europian harton raporte, për të rekomanduar hapjen e kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Nga Këshilli i BE-së kanë raportuar se procesi i screening-ut pritet të zgjasë 1 vit.
Në përfundim të këtij procesi, grupkapitulli për fushat themelore do të hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit, siç parashikohet në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.
“Kjo metodologji vendos një fokus edhe më të fortë në fushat themelore, duke filluar nga sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat ekonomike dhe qeverisja ekonomike”, thonë nga KE.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të mund të mbyllin negociatat e anëtarësimit vetëm kur të mund të përafrojnë dhe zbatojnë krejtësisht kapitullin mbi legjislacionin për sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe demokracinë.
Hapja e kapitujve të negociatave të anëtarësimit mund të realizohet me një ritëm relativisht të qëndrueshem, por mbyllja e tyre është një proces shumë I përpiktë , thonë nga KE.