Arrestimi i katër personave në lidhje me një hetim kundër korrupsionit që përfshin anëtarë të Parlamentit Europian dhe një shtet të Gjirit, që thuhet se është Katari, mund të trondisë Brukselin në thelb, shkruan euronews.
Disa eurodeputetë, përfshirë nënpresidenten Eva Kaili, janë akuzuar se kanë pranuar shuma të mëdha parash nga një vend i Gjirit që raportohet se është nikoqir i Kupës së Botës, Katari. Doha i ka mohuar akuzat.
Bashkëpresidenti i grupit të të Gjelbërve, Philippe Lamberts, bëri thirrje për një hetim parlamentar dhe që kjo çeshtje të diskutohet këtë javë në seancën plenare të asamblesë së fundit të vitit të BE-së. Hetimi do të hapet të hënën në atë që premton se do të jetë një seancë e zjarrtë.
Niels Fuglsang, një eurodeputet me Partinë Social Demokratike Daneze, vuri në dukje efektin e dëmshëm që ky skandal mund të ketë në bllok.
“Nëse ne mund të blihemi. Nëse anëtarët e Parlamentit Europian dhe politikanë të tjerë mund të blihen për të thënë gjëra të caktuara, për të votuar në mënyra të caktuara. Është një turp dhe e bën Europën më të dobët,” tha ai për Euronews.
“Pra, është në interesin e të gjithëve që të arrijmë deri në fund të kësaj dhe të miratojmë rregulla për t’u siguruar që gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin kurrë. Kjo që ndodhi është shumë e gabuar dhe ne kemi një punë të madhe për të bërë.”
Kjo aferë është “e turpshme dhe e patolerueshme” dhe dëmton reputacionin e Parlamentit, tha të dielën komisioneri i ekonomisë së BE-së Paolo Gentiloni.
Politikanët francezë të krahut të majtë kanë kritikuar skandalin, me eurodeputetin Manon Aubry, e cila ka kërkuar të diskutihet mbi këtë çështje. Të premten, policia belge organizoi 16 bastisje në të gjithë Brukselin. Janë sekuestruar rreth 600 mijë euro para cash, përveç pajisjeve kompjuterike dhe telefonave celularë, raporton abcnews.al.
Gjithashtu Kaili është arrestuar dhe i është hequr detyra si nënkryetare e Parlamentit Europian. Tre personat e tjerë që janë akuzuar mbeten anonimë. Por AP raportoi se numri i tyre përfshin një ligjvënës të BE-së dhe një ish-anëtar.
Disa ekspertë kanë argumentuar në dritën e skandalit se BE-ja tani duhet të forcojë legjislacionin e saj kundër korrupsionit.
“Unë do të besoja dhe besoj se do të ishte shumë e rëndësishme që BE të mendojë seriozisht për këto çështje dhe të përgatitet për situata të tilla në të ardhmen,” tha për Euroneës Tamas Lattmann, një ekspert për të drejtën ndërkombëtare dhe europiane.
Para se të shpërthejë skandali, asambleja po shqyrtonte hyrjen pa viza në zonën Shengen për qytetarët e Katarit. Por Partia Popullore Europiane, Social Demokratët, Liberalët dhe të Gjelbërit kanë bërë thirrje për pezullimin e votimit për këtë çështje.
Akuzat vijnë në një kohë të ndjeshme për Katarin, pasi po mbahet Kupa e Botës. Shtetit të Gjirit tashmë i është dashur të luftojë kundër pretendimeve rreth abuzimeve të dyshuara të të drejtave të njeriut dhe komunitetit LGBT+.
“Çdo pretendim për sjellje të pahijshme nga ana e shtetit të Katarit dëshmon për shenja të keqinformimit serioz”, tha një zyrtar i qeverisë së Katarit për AFP të shtunën.
Burimi: GAZETA.MK